Loading...

Spiropali: Ç’dekretimi i zgjedhjeve akt brutal, nisim procedurat për shkarkimin e Presidentit

Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së Elisa Spiropali e ka cilësuar vendimin për shfuqizimin e Dekretit të zgjedhjeve më 30 qershor si akt brutal të Ilir Metës mbi Republikën parlamentare të Shqipërisë.

Pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, njëkohësisht zëdhënëse e qeverisë, Spiropali deklaroi sot se “kryesia e PS ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës mbi Republikën parlamentare të Shqipërisë. Kryesia e PS ka vendosur që të enjten në seancën plenare të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentet sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës në asnjë Kushtetutë të quajtur ç’dekretim”.

Sigurisht, tha ajo, “ky debat do t’i përmbledhë të gjitha argumentet tonë dhe patjetër që në fund do t’i takojë Kolegjit Zgjedhor apo KQZ ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike. Por ne si kryesi e PS mendojmë që Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe sigurisht parlamenti i Shqipërisë do të fillojë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga pozicioni i Presidentit të Republikës”.

E pyetur nga gazetarët se kur do të nisin procedurat, Spiropali tha se “do të nisë menjëherë në seancën parlamentare të së enjtes, kur të gjitha argumentet do shtjellohen plotësisht. Dhe po ju them që është detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën dhe për të mbrojtur rendin kushtetues në vend dhe për të mbrojtur Republikën tonë parlamentare”.
“Sigurisht do i takojë Gjykatës Kushtetuese në fund ashtu siç edhe ligji e parashikon, por kjo nuk na heq neve të drejta për të zhvilluar procesin e shkarkimit të Ilir Metës”, tha Spiropali.
E pyetur se kur do të mbahen zgjedhjet, Spiropali tha se, “në 30 qershor do të ketë zgjedhje. Data është 30 qershor”.
Spiropali tha gjithashtu se, PS ka vendosur ti bashkohet fondit të solidaritetit për banorët e prekur nga tërmeti në Qarkun e Korçës dhe konkretisht të alokojë një fond prej 70 milionë lekësh.
“Bashkitë socialiste së bashku me biznesin, të cilit i është thirrje për t’u bashkuar në këtë fushatë solidariteti kanë kontribuar dhe do të ndërtojnë shtëpitë e banorëve të Floqit, të Qafëzezit, Vidohovës apo fshatrave të tjerë. Partia Socialiste ka vendosur ti bashkohet kësaj fushate duke hequr nga fondet e saj dhe duke ia shtuar fondin e solidaritetit”, deklaroi ajo./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/372543463374017/?t=0