Presidenti Ilir Meta argumentoi sot arsyet që e çuan drejt marrjes së vendimit për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në një konferencë për shtyp nga presidenca, Meta tha se “Presidenti i Republikës është organi i vetëm që ka për kompetencë caktimin për datën e zgjedhjeve”.
“Në zbatim të neni 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë të saj Kushtetuta përcakton se, “Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. Sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen. Zgjedhja e kushtetutëbërësit, që të jetë pikërisht Presidenti i Republikës autoriteti që ushton kompetencën kushtetuese të caktimit të datës së zgjedhjeve është e lidhur ngushtësisht dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë me rolin dhe funksionin e tij si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit”, tha ai.
“Referuar këtij roli që i është dhënë Presidentit në nenin 86 të kushtetutës, kushtetutëbërësi ka vendosur që të jetë pikërisht ai organi që duhet të caktojë datën e zhvillimit të zgjedhjeve, sepse dita e realizimit të tyre duhet të jetë një moment bashkimi për qytetarët shqiptarë, ku ata lirisht zgjedhin midis alternativave dhe kurrsesi kjo s’mund të jetë një ditë përçarje midis tyre”,tha ai.
Presidenti tha se dita e realizimit të zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi dhe jo përçarje për popullin dhe se 30 qershori është dekretuar në kushtet e një klime normale në vend.
“Presidenti ka ndjekur në vijimësi masat administrative për realizimin e këtij procesi, por rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të partive politike, ato të opozitës nuk janë regjistruar, pasi sipas tyre nuk mund të garantohen standardet për zgjedhje të lira. Ky vendim i opozitës, pason vendimin e saj për djegien e mandateve. Nga ana tjetër Shqipëria po kalon një krizë kushtetuese. E gjithë kjo gjendje është shqetësuese dhe rrezikon stabilitetin e vendit”, deklaroi ai.
“Nga ndjekja e këtij procesi, rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të kandidatëve dhe partive politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit, partitë politike të opozitës, nuk janë regjistruar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, duke parashtruar publikisht se shkaqet për mospjesëmarrje në zgjedhjet vendore kanë të bëjnë me faktin se nuk mund të sigurohet zbatimi dhe respektimi i standardeve kushtetuese për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky vendim i opozitës për të mos u regjistruar si subjekte zgjedhore për të konkuruar për organet e qeverisjes vendore, pason vendimmarrjen e saj për djegien/dorëheqjen në bllok nga ushtrimi i mandateve të deputetëve opozitarë në Kuvendin e Shqipërisë, duke bërë kështu që edhe jeta politike parlamentare të pësojë një krizë të rëndë përfaqësimi”, tha ai.
Ai tha se “zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet tensionuara sjell jo vetëm bojkot por edhe rrezikun e një konflikti civili. Presidenti ka përgjegjësinë që të sigurojë bashkëjetesën demokratike e cila vjen para çdo rregullimi tjetër”.
Shqipëria, tha ai, po kalon një krizë të rëndë kushtetuese, e cila evidentohet qartë me faktin se prej më shumë se një viti Republika e Shqipërisë nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, dhe si për ta rënduar më shumë këtë gjendje, së fundmi edhe Gjykata e Lartë është jashtë funksionit të saj.
Meta tha se e gjithë kjo gjendje, është shumë shqetësuese dhe rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të Shqipërisë, kjo për faktin se mekanizmat kushtetues që mbajnë nën kontroll dhe garantojnë ndarjen dhe balancimin midis pushteteve nuk janë funksionalë.
“Si President i Republikës, kam bërë të gjitha përpjekjet dhe kam paralajmëruar aktorët kryesor politikë në vend, që të bashkëpunojnë midis tyre me qëllim që të shmangin ndasitë dhe konfliktet midis tyre dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për të bashkëpunuar për realizimin e suksesshëm të të gjitha reformave të rëndësishme, si dhe përmbushjen e të gjitha prioriteteve kyçe që Shqipëria ka të domosdoshme për të arritur sa më shpejt në rezultate pozitive që do të na mundësonin marrjen e një përgjigje pozitive nga vendet e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim”, tha Presidenti.
Më tej, Meta tha se “nga njëra anë, mazhoranca shprehet e vendosur për të shkuar e vetme në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të planifikuara për zhvillim më datë 30 qershor 2019, pa ezauruar asnjë mundësi për zgjidhjen e krizës politike në vend, madje pa ndërmarrë asnjë hap për të eksploruar mundësitë e arritjes së një kompromisi politik, përpara skadimit të afatit të regjistrimit të kandidatëve dhe partive politike në zgjedhje, por edhe më tej. Nga ana tjetër, edhe opozita shprehet e vendosur se do të pamundësojë, me mjete dhe forma të panjohura, zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke e konsideruar zhvillimin e tyre si një provokim të rëndë që i bëhet demokracisë në vend.
Në vlerësim të situatës që po kalon vendi dhe gjuhës së urrejtjes që po përdorin palët politike, Presidenti nënvizoi se ekziston rreziku që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktojnë pasoja të pakontrollueshme.
“Si Kreu i Shteti dhe përfaqësues i unitetit të popullit, tha ai, e konsideroj këtë moment si rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend. Detyra primare kushtetuese e Presidentit të Republikës është të garantojë unitetin e popullit dhe të mbrojë vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Duke vënë në dukje se organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike, Meta nënvizoi se “realizimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore pa pjesëmarrjen e opozitës është problematike në aspektin demokratik, sepse u pamundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin midis alternativave konkuruese përfaqësuesit e tyre në nivel vendor”. Sipas tij, qytetarëve shqiptarë praktikisht u hiqet mundësia e zgjedhjes mes alternativave më të mira dhe në thelb e drejta kushtetuese për të zgjedhur nuk mund të aplikohet, pra kufizohet. Ai tha se zhvillimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila përfaqëson së paku gjysmën e elektoratit shqiptarë, cenon edhe disa parime kushtetuese që gëzojnë mbrojtje të posaçme kushtetuese.
“Ky qëndrim, reflektohet edhe në Vendimin e vitit 2007 të Gjykatës Kushtetuese, ku për më tepër gjykata thekson se: “Ndryshe ndodh në rastin e zgjedhjeve vendore. Këtu synohet një lidhje më e ngushtë midis zgjedhësit dhe të zgjedhurit për vetë natyrën e organizimit dhe kompetencave të pushtetit lokal. Është pushteti vendor që kujdeset për zgjidhjen e problemeve aktuale të qytetarëve që lidhen me çështje të tilla si punësimi, kujdesi shëndetësor, arsimi parashkollor, pastrimi dhe gjelbërimi i mjediseve të njësisë vendore, etj”, argumentoi Meta.
“Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkuron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore. Kjo gjë tregon qartë së ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin që standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushën, por po shkelen në mënyrë flagrante”, tha ai.
Meta tha se ky rezultat fiktiv që do prodhohej, i bën zgjedhjet e dekretuara për t’u zhvilluar më datë 30 qershor, zgjedhje jo demokratike, sepse cenohen të drejtat kushtetuese të sanksionuara në nenin 1, pika 3, nenin 45 dhe 109 të Kushtetutës.
Presidenti tha se “pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës, dhe aq më tepër kur në më shumë se gjysmën e njësive të qeverisjes vendore është regjistruar vetëm një kandidat, cenon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilën ndërtohet funksionimi i shtetit të së drejtës”. Kryetari i Shtetit, shtoi ai, ka përgjegjësinë kushtetuese të mbrojë parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke ndërhyrë në çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen.
“Është fakt publik, që në mënyrë të vazhduar partitë politike të opozitës, nuk kanë shprehur vullnetin për mospjesëmarrje në zgjedhje, por ngrenë shqetësimin se bazuar në faktet dhe të dhënave, si dhe historikut e mënyrës së zhvillimit të tyre ndër vite, të referuara këto edhe në raportet dhe rekomandimet e OBSE/ODHIR-it për proceset zgjedhore të zhvilluara në dekadat e fundit, zgjedhjet e planifikuara për zhvillim në datën 30 qershor 2019, nuk do të jenë të lira dhe të ndershme”.
Sipas tij, opozita dëshiron të marrin pjesë në zgjedhje, por me kushtin që të garantohet liria e të gjithë qytetarëve për të votuar të lire, si dhe konkurim i lirë i të gjithë forcave politike, në përputhje me parimet kushtetuese dhe rregullat e mirëpërcaktuara ligjore.
Më tej, Presidenti deklaroi se “zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues”. “Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka vënë re se sjellja e aktorëve politike në vend, ka krijuar një klimë të theksuar konflikti që rrezikon stabilitetin e e rendit publik, çka do të përbënte rrezik edhe për vet sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe do të defaktorizonte rolin e vendit tonë si faktor paqe e stabiliteti në rajon. Presidenti i Republikës, ka ndjekur të gjitha protestat zhvilluara nga forcat opozitare, ashtu sikundër ka evidentuar edhe kundërpërgjigjen e mazhorancës nëpërmjet mitingjeve të organizuara prej saj në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë. Të dy palët kanë bërë nxitje për provokime ndaj njera-tjetrës, ku shpesh herë me deklaratat e tyre i ndajnë qytetarët e vendit në dy pjesë duke i vendosur kështu për shkak të bindjeve politike përballë njeri-tjetrit, të gatshëm për të demostruar fuqinë e secilës palë”, vuri në dukje Meta.
Sipas tij, zhvillimi i protestave dhe i deklarimeve të opozitës si dhe i antimitingjeve apo thirrjeve kërcënuese të mazhorancës nuk japin aspak siguri për zhvillimin e zgjedhjeve, të qeta, të lira, të ndershme, kunkuruese dhe me standarde.
“Nga ana tjetër në protestat e zhvilluara deri më tani nga opozita, janë vërejtur elementë të dhunës ndaj forcave të rendit, apo ndaj pronës publike, ndërkohë që edhe nga forcat e zbatimit të ligjit, janë përdorur mjete, teknika, dhe në disa raste reagime jo proporcionale”, shtoi ai.
“Në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve, është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj dhe shtyrja e tyre për në një datë tjetër të dakordësuar mes palëve politike, do të shërbejë si nxitje për dialog për zgjidhjen e krizës që po kërcënon stabilitetin demokratik të vendit”, deklaroi Meta.
Presidenti tha se “shfuqizimi i dekretit dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese”.
Presidenti vlerëson të rëndësishëm faktin që, nga mosrealizimi për arsye kushtetuese të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, të mos cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë.
Meta tha se “si President i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike, ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj dëmit të jashtëzakonshëm që kriza politike ka shkaktuar e pritet të shkaktojë edhe më shumë në ekonominë e çdo familje shqiptare dhe në mbarë vendin. Ajo ka injektuar pasiguri tek konsumatori, tek bizneset e vogla dhe të mëdha, investitorët vendas dhe të huaj, në turizëm dhe çdo aspekt tjetër të mbarëvajtjes sociale-ekonomike të vendit.
“Zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore”, tha ai.
“Në rast se në Republikën e Shqipërisë do të zhvillohen zgjedhjet e datës 30 qershor, ku në pjesën dërrmuese konkurron për organet drejtuese vetëm një forcë politike, atëherë kjo situatë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe pikërisht në parimet bazë të saj, çka do të përbënte një regres me pasoja shumë të rënda për të ardhmen Europiane të vendit”, deklaroi Meta.
“Ftoj të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Ndaj i bindur për rëndësinë e këtij akti historik për të shpëtuar të ardhmen evropiane të vendit dhe për të mbrojtur bashkëjetesën demokratike të të gjithë shqiptarëve po e nënshkruaj këtë dekret përpara të gjithë shqiptarëve”, përfundoi Presidenti./atsh