Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “përgjimet nuk janë prova, por indicie të caktuara që duhen hetuar”.
I ftuar në një studio televizive, Kryeministri Edi Rama foli për rastin e përgjimeve të publikuara nga “Bild”.
“Së pari, dua të them diçka që më duket e rëndësishme dhe nuk më është dhënë mundësia ta them më parë. Një urdhër absurd i Prokurorisë për të ndaluar mediat që të publikojnë, që nuk e di sa i referohet ndonjë ligji të shkruar apo jo. Por di se është i gabuar, sepse mediat për atë punë janë, të nxjerrin çfarë gjëje u bie në dorë. Nuk ka asnjë kufizim në këtë pikë, Wikileaks tronditi botën, por nuk di të jetë hapur ndonjë proces penal apo gjyqësor për ‘Nju Jork Times’, por u shpall një arrest ndërkombëtar për Asange”, – tha Rama.
Sipas tij, “mediat janë lajmësi, që në këtë rast nuk ka asnjë faj në raport me publikimet”.
Çështja, tha Rama, “ka disa aspekte”. “Së pari, e kam thënë dhe e përsëris, kam neveri nga përgjimet dhe përdorimi i përgjimeve, sepse janë shumë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta, sepse mund të nxirren apo futen në një kontekst të caktuar”, – tha Rama.
Por, sipas tij, “ka një aspekt moral dhe jemi në kushtet kur kryetari i bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat, por është një njeri i lirë që duhet të përgjigjet deri në fund lidhur me të vërtetën”.
“Nga ajo që kam parë, shikoj që ka një shëmti që të vjen për të vjellë kur dëgjon biseda të caktuara, por e rëndësishme është se sa këto janë muhabete të materializuara në fakte, ose sa këto janë muhabete njerëzish të cilët bëjnë sikur kontrollojnë planetin me telefon dhe bëjnë sikur do zgjidhin problemet”, – tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se “ka një aspekt ligjor, pasi kemi të bëjmë me një katastrofë nga pikëpamja e administrimit të gjithë këtij procesi”.
“Është përgjegjësi e prokurorëve të ruajnë sekretin hetimor, të hetojnë në mënyrë transparente dhe të përputhin çfarë indiciesh jep një përgjim. Zanafillën kjo e ka te iniciativa e Policisë së Shtetit shqiptar që filloi ndjekje ndaj një bërthame të caktuar dhe e ka referuar në Prokurori. Gjithë këta njerëz janë në burg, jo në gjendje të lirë”, – theksoi Rama.
Në aspektin politik, që është aspekti më problematik, Kryeministri tha se beson se kjo është një dosje që është mbajtur në sirtar për shantazh politik dhe është një dosje që lidhet me atë që unë e kam quajtur tërmeti që do të krijojë Reforma në Drejtësi që është në proces”.
Rama tha se “nuk është rastësi, por përkundrazi, të shikosh se si një material i tillë nuk është përdorur as për të vepruar, as për t’u thelluar e kapur në flagrancë nëse do të kishte diçka”.
“Por ajo u përdor për t’u mbajtur e nxjerrë përmes politikës, për qëllime politike, si rezultat i lidhjes së një segmenti të caktuar në prokurori me politikën”, – tha Rama.
Pastaj, shkon edhe më tutje, shtoi Kryeministri, duke iu referuar faktit se këto materiale u morën dhe u ekspozuan në një gazetë me tirazh shumë të madh në Gjermani, duke synuar ta fusin në një kornizë të një zbulimi gjerman.
“Nuk është zbulim i askujt, është shpërdorim i detyrës, nxjerrje e sekretit hetimor, kalim të politikës dhe sugjestionim. Një gazetar gjerman ka marrë çfarë i kanë dhënë, dhe kjo në momentin kur ne presim nga Gjermania dhe vendet e tjera të marrim një ditë jeshile për negociatat”, – tha Rama.
Po ashtu sipas tij, “kjo përdoret si ushqim që helmon shumë njerëz këtu dhe situatën atje, duke u dhënë argumente të gjithë atyre që duan të kapen”./atsh