Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2019 çelën ekspozitën me titull “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite”, në përkujtim edhe të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit.
Ky bashkëpunim erdhi pas suksesit të vitit të kaluar, i cili shënoi edhe kulmin e marrëdhënieve mes dy institucioneve qendrore muzeore të Shqipërisë dhe Kosovës duke organizuar bashkëpunime, aktivitete dhe takime të shumta.
Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar.
Ekspozita është konceptuar si një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit, gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore, por dhe dallimi si një njeri me ide liberale dhe reformatore.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës përshëndeti
Selim Bazeraj, Kryetar i Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Drejtori i Muzeut Historik Kombetar, Dr. Dorian Koçi, Dekani i Fakultetit të Filozofisë Prof. Ass. Dr. Bujar Dugolli dhe Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtorit të Muzeut të Kosovës.
Ekspozita “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite” u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksioneve Shqiptare dhe Bibliotekën Kombëtare. /atsh