Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Bekim Balaj i sheh dy sfidat e ardhshme ndaj Islandës dhe Moldavisë mjaft decizive, por thekson se kuqezinjtë i kanë të gjitha shanset për të grumbulluar pikët maksimale.
Në një konferencë për shtyp nga Frankfurti i Gjermanisë ku është grumbulluar Kombëtarja sulmuesi shkodran theksoi se, “çdo gjë po shkon mirë dhe po përgatitemi maksimalisht. Jemi të fokusuar dhe duam rezultate të mira në dy ndeshjet e ardhshme”.
“Gjërat kanë ndryshuar, kemi një trajner i ri dhe metodë të re pune. Është e kuptueshme se në çdo ekip ndodh diçka e tillë kur ndërrohen trajneri. Jemi të gatshëm dhe duhet të bëjmë mirë. E rëndësishme është që po e shijojmë këtë moment”, tha ai.
Në lidhje me skemën e lojës, me trajnerin Reja, Balaj tha se, “Reja e ka hedhur si opsion skemën 3-5-2. Nuk kemi menduar vetëm këtë modul. Po shohim opsione dhe lojtarë të ndryshëm. E rëndësishme për ne është të japim më të mirën. Kemi luajtur me 1 sulmues, por misteri ka hedhur opsionin të luajmë me dy. Bashkëpunimi dhe mundësia për të shënuar do të jetë më e madhe”.atsh