Loading...

Tërmetet në Korçë/ Çako: 184 banesa të dëmtuara, masa për përllogaritjen e dëmeve

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi sot se si pasojë e tërmetit të rënë në Korçë janë dëmtuar 180 banesa, ndërsa janë marrë të gjitha masat për strehimin e banorëve.

Ai bëri të ditur se gjatë ditës së sotme në Korçë ka pasur një lëkundje tjetër tërmeti prej 3.9 ballë

Në një prononcim për mediet, Çako theksoi se “janë marrë të gjitha masat që prej momenteve te para të që ka rënë tërmeti prej 5.3 ballë. Në fshatin Floq janë sistemuar 160 banorë në 13 çadra me kapacitet prej 30- 40 vende. Në fshatin Libohovë janë sistemuar 40 persona në xhaminë e fshatit dhe ambiente të tjera”.

“Në Qafëzezë janë sistemuar 30 persona në 5 çadra të ngritura dhe janë marrë të gjitha masat, ku janë në dispozicion forcat e armatosura, Policia e Shtetit, Kryqi i Kuq, si dhe njësia e emergjencave civile vullnetare”, tha Çako.

Kreu i Emergjencave tha se “184 banesa janë dëmtuar në tërësi nga të cilat 95 prej tyre janë të dëmtuar plotësisht, për të cilat duhet të marrin vlerësimin sipas ligjit përkatës”.

“Duhet të bëhen procedurat, por masat emergjente janë marrë për të siguruar vendbanime deri në stabilizimin sizmik të zonave përkatëse. Qeveria po vlerëson në maksimum akordimin e një fondi për emergjencat civile për të gjithë banorët e kësaj zone, të cilët do të vlerësohen mbi bazën e nivelit të dëmit dhe masave që duhet të merren për trajtimin financiar dhe rindërtimin e banesave të tyre”, u shpreh Çako.

Sipas tij, të gjitha institucionet si Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, Shëndetësisë janë në këmbë dhe kanë në vëmendje masat e shtuara dhe stabilizimin e gjendjes në zonën e prekur.

Çako ftoi të gjithë biznesmenët apo kontributorët, të cilët kanë vullnetin e tyre për shtresat vulnerabël ta përqendrojnë vëmendjen drejt Korçës për të shtimin e kapaciteteve për këta banorë në nevojë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com