Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në çelje të fushatës zyrtare të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, e vuri theksin edhe tek ajo çka përfaqëson Partia Socialiste, duke e cilësuar atë të vetmen parti politike të shqiptarëve që kurrë nuk ka tradhtuar interesin kombëtar.
“Le të thonë çfarë të duan. Kjo është e vetmja parti politike e shqiptarëve që kurrë nuk e ka tradhtuar interesin kombëtar, që me të gjitha të metat e dështimet që mund t’i numërohen, mbetet forca politike më e madhe, me e fortë, më e aftë dhe padiskutim më atdhetarja ndaj edhe më e besueshme për shqiptarët”, theksoi Rama.
Nga kjo foltore theksoi ai, apeli është se 30 qershori vërtet do të nxjerrë se kush do i drejtojë bashkitë e vendit, por po ashtu do të vendosë ikjen përfundimtare të politikës shqiptare përpara dhe lënien pas të fantazmave dhe hijenave të së shkuarës.
“Të gjithë do ta shohin vetë sesi pas 30 qershorit, gjërat nuk do jenë më njësoj si më parë. Kush kujton se meqë nuk hynë në zgjedhje disa parti të falimentuara, shkatërrohen zgjedhjet, e ka gabim. Disfata e tyre do të jetë ripërtëritje demokratike për Shqipërinë dhe për ata vetë, nëse më në fund do dinë ta lexojnë të vërtetën se pse vetëm humbasin, kur të marrë fund aventura e çmendur e imponimit mbi shumicën, mbi shtetin, mbi ligjin. Nuk do ndodhë, nuk kemi për ta lënë të ndodhë. E kanë zgjedhur vetë të nisen me sy mbyllur drejt murit ku do përplasin kokën”, tha Rama.
“Zgjedhjet vendore janë shumë të rëndësishme për ata që do votojnë ose nuk do votojnë. Ndaj do mobilizohemi të jemi në lartësinë e kësaj sfide historike dhe të vazhdojmë rrugën jashtëzakonisht të vështirë, por të sigurt në çdo aspekt. Në 30 qershor nuk do fitojmë vetëm ne, por vetë Shqipëria Europiane e fëmijëve tanë”, përfundoi kryeministri Edi Rama. /atsh