Shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” priti sot disa vizitorë të veçantë, efektivët e Policisë së Tiranës, të cilët festuan së bashku me banorët e kësaj shtëpie, me rastin e 1 Qershorit. Punonjësit e Policisë shpërndanë dhurata të shumta për fëmijët, duke i bërë ata të ndihen specialë në këtë ditë. Më pas fëmijët u “shndërruan” për pak çaste në policë duke provuar edhe mjetet e Policisë, makinat dhe motorët e saj.
“Policia e Shtetit është gjithmonë pranë komunitetit e sidomos pranë fëmijëve, në mbrojtje të tyre e në çdo nevojë që ata kanë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu efektivët e Policisë së Elbasanit vizituan fëmijët me aftësi ndryshe për t’i uruar për festën e 1 Qershorit dhe për tu argëtuar së bashku me ta. Fëmijët me aftësi ndryshe janë pjesë e shoqërisë sonë, pjesë e ylberit vezullues. Ata nuk janë të frikshëm dhe as të “këqij”, janë thjesht fëmijë për tu dashur pasi kështu kuptohet me mirë vlera e dashurisë me gjithë shkëlqimin që kanë këta fëmijë kanë brenda tyre. Përmes aktivitetit festiv te shkolla speciale “Zërat e Jetës”, punonjësit e Policisë së Elbasanit kishin mundësinë të ishin pranë këtyre fëmijëve, në festën e tyre, për tu argëtuar së bashku me ta. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Drejtori i DVP Elbasan Arjan Muça, prindër e mësues. Gjatë aktivitetit u shpërndanë dhurata simbolike nga efektivët e DVP Elbasan, ndërsa fëmijët patën mundësinë të shihnin nga afër mjetet, makinat e motorët e Policisë.
Policia e Shtetit uron 1 Qershorin për gjithë fëmijët, duke u gjendur pranë tyre në çdo nevojë që ata kanë./atsh