Loading...

“Takohemi në Vlorë”, tenori Josif Gjipali rikthehet në qytetin e lindjes

Mbrëmja koncertale “Takohemi në Vlorë”, që u zhvillua në sallën e Teatrit “Petro Marko”, të këtij qyteti, mblodhi artistë të njohur nga treva të ndryshme, të cilët krijuan një atmosferë tepër të ngrohtë përpara një publiku që vlerësoi maksimalisht interpretimin dhe repertorin e zgjedhur.

Ky koncert, ku ishte i ftuar edhe tenori i famshëm me origjinë nga Vlora, Josif Gjipali, shënoi edhe rrugënisjen e aktiviteteve të Qendrës Kulturore “Resonance”, “Vlora Philarmony”, nismë e një grupi artdashësish vlonjatë.

Në repertorin e mbrëmjes koncertale përfshiheshin pjesë të ndryshme nga Moxart, Suppe, Vivaldi, Bize, Çajkovski, Puçini, kompozitori me origjinë nga Vlora, Enis Mullaj. Mes tyre spikati interpretimi i Gjipalit, i cili u paraqit për artdashësit që kishin mbushur sallën me pjesë nga “Recondita Armonia Toska” dhe “Nessun Dorma Turandott”.

Interpretimi i Gjipalit, Besiana Mehmedit, Erina Balla e Hektor Sinanaj, i dhanë ngjyra të veçanta kësaj mbrëmjeje, ndërkohë që, atmosfera u pasurua me emra të tjerë të njohur si violinist Zeqir Sulkuqi, me pjesë nga Enis Mullaj dhe Çajkovski, apo Martin Kushi e Igli Zeqiri në “Concerto per duo cello”, nga Vivaldi.

Orkestra simfonike Vlorë, nën drejtimin e dirigjentëve Thanas Çaçi (Drejtor Artistik) dhe Altin Babameto (i ftuar), u rikthye përpara artdashësve vlonjatë, me një nivel të admirueshëm interpretativ, si produkt i vlerave të krijuara në vite në këtë fushë në qytetin e Vlorës.

Në mbyllje të këtij aktiviteti kompozitori Enis Mullaj dhe violonçelisti Vlorent Xhafaj u nderuan me Titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës”, akorduar nga kryebashkiaku Dritan Leli.

Sipas organizatorëve, ky aktivitet shënon vetëm fillimin e një rruge që do të vazhdojë gjatë, me synimin që simbolika “Takohemi në Vlorë”, të shndërrohet në një traditë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com