Loading...

Frika prej zgjedhjeve dhe Reformës në Drejtësi e çoi opozitën në rrugë qorre

Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e sotme se qëndrimet e opozitës, janë një skenë e përsëritur, e parë dy vjet më parë me çadrën e ngritur nga PD.

“Është një situatë e përsëritur, e kemi parë dy vjet më parë, ka ndryshuar formë, nuk është më një çadër, por një parti që ka braktisur parlamentin pa kthim. Kanë veshur jelekët e verdhë të një lëvizjeje e cila është karakteristikë e grupeve që krijohen për t’u bërë vizibël, por asnjëherë e partive politike dhe kërcënon njësoj si atëhere që nuk do ketë zgjedhje nëse nuk bëhet siç duam ne. Ndryshimi ndoshta është në faktin që jemi në kushtet kur ka një vendosmëri për t’i shkuar deri në fund një rruge qorre që në këndvështrimin tim është vetëvrasje politike dhe nga ana tjetër, thirrjeve për dialog i vjen gjithmonë e njëjta përgjigje standarde, e përsëritur pa pushim”, – tha Rama, i ftuar në emisionin “Open”.

Për sa i përket përgjegjësive lidhur me këtë situatë, Kreu i Ekzekutivit tha se dy përgjegjësitë e tij të mëdha janë besimi që i është dhënë përmes zgjedhjeve dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, të cilat sot kanë frikësuar opozitën, aq sa e kanë shtyrë të dalë në rrugë.

“Unë kam konstatuar dy përgjegjësi të mëdha, njëra është që ne kemi fituar zgjedhjet në mënyrë dërrmuese për opozitën që ka dalë tanimë në rrugë dhe kjo e bën opozitën që t’i friket zgjedhjeve dhe përgjegjësia tjetër, që kemi çelur një rrugë pa kthim për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, të cilën këto forca të bashkuara rrugëve, nuk e kanë dashur që ditën e parë”, – tha ai.

“Frika nga zgjedhjet, paniku nga zbatimi i Reformës në Drejtësi, janë shtysa të forta që kanë përcaktuar rrugën qorre të opozitës”, – theksoi Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com