Rekomandimi i Komisionit Europian drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare:
”THE WASHINGTON POST”
Me titullin ”BE inkurajohet të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” gazeta e njohur amerikane shkruan mes të tjerash se ”Komisioni Europian inkurajoi sot vendet anëtare të Bashkimit Europian që të hapin bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke thënë se vendet ballkanike kanë zbatuar reformat e kërkuara”.
AFP
Agjencia franceze e lajmeve AFP, me titullin ”Brukseli rekomandon hapjen ”tani” të negociatave me Tiranën dhe Shkupin”, shkruan se ”Komisioni Europian u shpreh sot pro hapjes, pa pritur më gjatë, të negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, duke gjykuar se këto shtete i kanë bërë përpjekjet e kërkuara nga të 28-ët, të cilët do të kenë fjalën e fundit.
Ekzekutivi europian rekomandon që Këshilli (organi që mbledh shtetet e BE-së) të hapë tani negociatat e anëtarësimit’’, deklaroi në Bruksel, Johannes Hahn, komisioneri i ngarkuar për këtë çështje.
DPA
Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, në artikullin ”KE këshillon fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan se ”Komisioni Evropian… lavdëron dy vendet për përparimin e tyre në përmbushjen e standardeve të BE.
Ministri gjerman për Çështjet Europiane, Michael Roth, partneri i vogël në qeverinë e Merkelit, deklaroi se ishte koha që BE të përmbushë detyrimin e saj.
“Ne kemi dhënë fjalën dhe duhet të mbajmë premtimet tona”, tha ai për të përditshmen gjermane ”Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
ANSA
Agjencia italiane e lajmeve, ANSA, në artikullin me titull ”OK negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut” shkruan mes të tjerash se ”Brukseli dha dritën jeshile per hapjen e negociatave të pranimit për të dy vendet”.
”Fjala e fundit tani është e liderëve të BE-së, të cilët do të mblidhen më 20 dhe 21 qershor në Bruksel, për votimin përfundimtar”, shkruan ANSA./atsh