Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo tha në emisionin “Përballë” në RTSH se opozita jashtë parlamentit duhet të gjejë brenda saj rrugën për zgjidhjen e krizës politike.
“Manifestimet e fundit kanë treguar se mund të manifestohet në mënyrë paqësore. Parlamenti sot ka një opozitë të re, që është legjitime, por e dimë të gjithë që opozita, në kuptimin e udhëheqësve kryesor të forcave të opozitës, është jashtë parlamentit. Duhet mbajtur një dialog i hapur me të gjithë. Opozita duhet të gjejë në brendësi të saj zgjidhjet, të cilat i japin mundësinë e zgjidhjes së krizës”, – tha ambasadori Cutillo.
Megjithëse e njeh opozitën jashtë parlamentit, ambasadori i Italisë thotë se zgjedhjet lokale pa të mbeten të vlefshme.
“Për mua këto zgjedhje janë legjitime. Zgjedhja për të mos marrë pjesë është një zgjedhje personale, që duhet respektuar, por që nuk i bën të pavlefshme këto zgjedhje. Nga kjo situatë demokracia nuk del e ekzaltuar, por as e poshtëruar, – tha ambasadori Cutillo.
Ambasadori italian deklaroi se rrënjët e krizës janë brenda partive politike.
“Kjo është një krizë e ndërlikuar që ka lindur dhe zhvilluar në brendësi të opozitës dhe kësisoj i takon opozitës që ta zgjidhë. Besoj se në vende të tjera një krizë e tillë do të ishte administruar në brendësi të partive mbi bazën e rregullave të demokracisë së brendshme të partive, të cilat në Shqipëri janë disi të ndryshme. Partitë janë më të ngurta dhe kërkojnë t’i eksportojnë jashtë krizat, të cilat normalisht duhet të administrohen brenda tyre. Por besoj se në fund, partitë do të dinë të zgjedhin në interes të vendit”, – tha Cutillo, ndërsa pranon se sistemi zgjedhor ka nevojë për rregullime.
“Ka diçka që nuk ecën në mekanizmin zgjedhor. Kjo mund të reformohet. Nëse nuk bëhet brenda 30 qershorit, të mos e kthejmë në një dramë”, u shpreh ambasadori italian për RTSH./atsh