Një operacion policor ka nisur mëngjesin e sotëm në Mitrovicë. Raportohet se operacioni po zhvillohet nga Policia e Kosovës (PK), në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësive të tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë.
Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale./KosovaPress/