Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një takim me strukturat e kësaj force politike në njësinë nr. 11 në Tiranë tha se beteja e opozitës nuk është kryeministri Rama, por janë e ardhmja e shqiptarëve, hapja e negociatave për të anëtarësuar Shqipërinë në BE.
“Protestat tona paqësore të cilat janë protestat më të bukura që ka pasur Shqipëria në të gjitha vitet e saj të tranzicionit do të sjellin ndryshimin. Ju bëj thirrje që të mos përfshiheni në elementët e dhunës, por të distancoheni nga dhuna, edhe pse njerëzit janë të mërzitur dhe të frustruar e iu ka ardhur ku nuk mban më se me çfarë ndodh në Shqipëri”, tha Kryemadhi.
Sipas Kryemadhit, protesta e nesërme do të jetë një nga protestat më të mëdha të opozitës. /atsh