Presidenti i Republikës, Ilir Meta shtroi sot një darkë Iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit. Të pranishëm ishin kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, udhëheqës fetarë dhe shpirtërore të bashkësive shqiptare, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, teologë, përfaqësues nga komunitetet në nevojë, mosha e tretë, paraplegjikë dhe personalitete të ndryshme.
Në fjalën përshëndetëse, Meta uroi agjërim të mbarë për gjithë besimtarët.
“Muaji i Ramazanit është një mundësi e madhe për të shpalosur ndjenjën e vëllazërisë, të dashurisë për njëri-tjetrin, dhe për atdheun tonë. Vendi ynë është i bekuar nga Zoti me resurse, natyrë dhe klimë të mrekullueshme, por mbi të gjitha me një popull të devotshëm, i cili me një besim të thellë në zemër nuk e çrrënjosi atë as edhe në ditët më të errëta të diktaturës së këtij vendi”, – tha ai, duke shtuar se për Zot dhe për Flamur shqiptarët e të gjitha besimeve, luftuan krah njëri-tjetrit dhe u vetëmohuan për Pavarësinë dhe Çlirimin.
“Shqipëria është e njohur në mbarë botën për shembullin e saj të jashtëzakonshëm të harmonisë fetare. Kjo është një ndër vlerat dhe asetet më të çmuara të historisë, traditës dhe shoqërisë sonë e që duhet ta ruajmë gjithmonë fort si sytë e ballit”, – tha Presidenti.
“Në këtë muaj të shenjtë nuk ka vend për zemrat krenare, aq më tepër për arrogancën dhe kokëfortësinë, por për zemërgjerësi, përkushtim, përulësi dhe dashuri. Gjatë këtij muaji edhe politika duhet të jetë reflektuese dhe të ketë më shumë besim, pa harruar se nuk është vetëm besimi ai që i bën njerëzit të jenë më të mirë, por mbi të gjitha janë veprat e mira dhe konkrete”, – theksoi Presidenti Meta. /atsh