Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka theksuar sot se një Ballkan i destabilizuar është një Europë e kërcënuar, duke shtuar se stabiliteti i Ballkanit nuk mund të realizohet përmes izolimit të rajonit.
E pranishme në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën George C. Marshall për Studime të Sigurisë në Garmish, Albanian Policy Center dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, ministrja Xhaçka, bëri thirrje për një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ajo tha se influenca ruse po tenton të destabilizojë Ballkanin.
“Besoj që sot nuk ka më asnjë dyshim, në qarqet e atyre që çështjet e sigurisë i kanë profesion, por edhe në qarqet akademike, që vendet tona, shoqëritë tona, përballen me një kërcënim shumë real në formën e influencave të huaja, ku do të veçoja mbi gjithë të tjerat përpjekjet e Rusisë, të cilat synojnë të depërtojnë jo thjesht në qarqet politike, ekonomike apo institucionale, por edhe në mënyrë kapilare në shoqëritë e komunitetet tona. Janë përpjekje që synojnë avancimin e axhendave që bien ndesh me ato që janë prioritetet tona, bien ndesh me axhendën e integrimit evropian dhe që në thelb synojnë të dobësojnë themelet e modelit politik, ekonomik dhe shoqëror që kemi zgjedhur të ndërtojmë në vendet tona”, tha Xhaçka.
“Ngjarjet e ditëve të fundit në një nga vendet e BE-së na treguan se askush nuk është imun ndaj këtyre influencave. Mirëpo është mësuar nga historia se edhe vendet më të rëndësishme kanë pasur probleme, sikundër Shqipëria, edhe për shkak se ndodhet në Ballkan. Tentativat kanë arritur deri në grusht shteti. Ballkani është një rajon më i dobët dhe goditja e shteteve ballkanike, do të thotë goditje e Europës”, shton ministrja.
“Vite më parë nuk imagjinohej që Rusia të arrinte të kishte influencë në Ballkan. Gjatë këtyre 10 viteve, Shqipëria ka ndihmuar si vend anëtar i NATO, e ka konsoliduar statusin e saj për sigurinë. Sot ndihemi më të sigurt ndaj influencave ruse, pas zgjidhjes së emrit të Maqedonisë së Veriut dhe hapave integruese të Malit të Zi”, theksoi ministrja.
“Por pavarësisht kësaj ka një influencë ruse, e cila nxit destabilizim në vendet tona. Këto aktorë bëjnë përpjekje për të destabilizuar vendin, që shkojnë përmes mediave, që synojnë nxitjen e tensioneve fetare, politike, sociale, në një rast ekstrem, u arrit deri në grusht shteti në një vend kandidat për në BE. Mirëpo, nëse ne bëhemi bashkë, gjithë Ballkani Perëndimor mund të jetë më i sigurt”.
“Bashkëpunimi dhe shpejtimi i integrimit drejt BE, na bën më të fortë dhe na bën që të mbajmë larg influencat ruse dhe të huaja të padëshiruara. Në Ballkan ka ekzistuar influencë e huaj e padëshiruar. Duhet të punojmë gjithë bashkë që mos lejojmë diçka të tillë”, tha Xhaçka
“Një Ballkan i destabilizuar është një Europë e kërcënuar. Fatkeqësisht duke konsumuar krizën e brendshme dhe duke humbur besimin te zgjerimi, Europa ka krijuar një vakum në Ballkan dhe ka nxitur influencën e të tjerëve”, tha Xhaçka.
“Stabiliteti i Ballkanit nuk arrihet kurrsesi nëse rajoni jonë mbetet i izoluar. Ky vakum i krijuar këtu do të mbete si synim për rivalët e NATO-s dhe të BE.”, është shprehur Xhaçka në fjalën e saj. /atsh