Loading...

Zgjedhjet bëhen për ata që zgjedhin, pas 30 qershorit fazë e re e trajtimit të ankesave

Në 30 qershor ne, ndër të tjera do të krijojmë mundësinë për të hyrë në një fazë të re të trajtimit të ankesave për bashkitë, qoftë në aspektin sasior, qoftë në aspektin cilësor”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë takimit me koordinatorët e platformës së bashkëqeverisjes, ku u prezantuan rastet e zgjidhura, Kryeministri Rama u shpreh se ka diferencë mes trajtimit të ankesave nga institucionet e qeverisjes qendrore dhe degëve të tyre në rrethe dhe nga bashkitë, por kjo do të ndryshojë pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Më vjen mirë që të them se numri i halleve dhe i problemeve të trajtuara dhe zgjidhura ka prekur kufirin e 35 mijë. Sigurisht nuk janë të gjitha halle janë dhe probleme të natyrave të ndryshme që lidhen me aspekte të ndryshme të qeverisjes për të cilat qytetarët shkruajnë. Nga ana tjetër dua të nënvizoj se ka një diferencë, e cila meriton vëmendje midis halleve dhe problemeve që zgjidh qeveria përmes ndërhyrjes së agjencisë që administron platformën tek institucionet qendrore. Qofshin ato institucione qendrore në Tiranë apo përfaqësi të institucioneve nëpër qarqe. Dhe nga ana tjetër e nivelit sasior dhe cilësor jo të pëlqyeshëm të trajtimit të ankesave në qeverisjen nga bashkitë. Kam besim që në 30 qershor ne, ndër të tjera do të krijojmë mundësinë për të hyrë në një fazë të re të trajtimit të ankesave për bashkitë, qoftë në aspektin sasior, qoftë në aspektin cilësor”, – tha Rama.

Duke i falenderuar të gjithë të pranishmit të ftuar që dolën dhe sollën rastin e tyre, Kryeministri theksoi se është ai që në fakt që duhet t’i falenderojë ato dhe “të gjithë ata që me votën e tyre i dhanë mundësi vetes, që përmes qeverisë të hyjnë në këtë proces bashkëqeverisjeje”.

“Kjo është bashkëqeverisje në kuptimin më të mirë të fjalës, pasi nuk ka nevojë as për miq, as për shokë, as për kushërinj, as për filtra të tjerë. Por çdo qytetar njësoj si çdo deputet ka akses të drejtpërdrejtë tek çdo ministër për problemin e vet”, – tha Rama.

Dhe, nënvizoi kryeministri, “çka ne do të realizojmë është që, aksesi i drejtpërdrejtë tek çdo kryetar dhe kryetare bashkie pas 30 qershorit të jetë i së njëjtës cilësi. Ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe është po aq e rëndësishme të nënvizohet se zgjedhjet nuk bëhen për ata që zgjidhen, por bëhen për ata që zgjedhin. Dhe ata që zgjedhin, në 30 qershor, ndër të tjera, do të zgjedhin edhe për të pasur akses të drejtpërdrejtë si qytetarë, tek çdo kryetar bashkie për të cilin kanë dhënë ose s’kanë dhënë votën e tyre, por që me votën e qytetarëve do të jetë aty në detyrë për 4 vitet e ardhshme”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com