Loading...

Turistë nga Gjermania deri në Zelandën e Re: Të mrekulluar nga bukuria natyrore dhe mikpritja shqiptare

Për turistët Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara. Në këto ditë të fundit pranverore rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me turistë të huaj.

Transformimet që ka pësuar Tirana e kanë bërë atë të jetë në listën e destinacioneve europiane.

Gjatë një vëzhgimi nga Agjencia Telegrafike Shqiptare grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

Nuk i mungon itinerarit të tyre edhe shëtitjet në lagjet e vjetra të Tiranës dhe ndërtesat shumëngjyrëshe, ku njihen me historinë e Tiranës dhe shijojnë kuzhinën vendase.

Por, një ndër vendet që vijon të tërheqë më së shumti interesin e vizitorëve të shumtë, është edhe sheshi “Skënderbej”, në qendër të qytetit të Tiranës. I kthyer tashmë në një atraksion të ri për vetë rikonstruksionin modern dhe bashkëkohor, ky shesh është shndërruar në një vlerë të shtuar për turizmin e qytetit.

Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Europës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë. Transformimi që po pëson Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës.

Por turistët e huaj përveç Tiranës, kanë vizituar edhe qytetin muze të Beratit, Gjirokastrën, Sarande Durrësin, Shkodrën, Tropojën, etj.

Ata shprehen të mrekulluar nga bukuria natyrore, historia, kultura dhe mikpritja e shqiptarëve.

Turistët e huaj që gjenden në Tiranën gjatë këtyre ditëve janë nga vende të largëta si , Gjermania, Australia, Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zelanda e Re, etj, gjë kjo e cila vërteton se tashmë kryeqyteti është një pikë kyçe e itinerareve turistike për këta turistë.

Një i ri nga Danimarka shprehet se “jam i lumtur që kam ardhur këtu, është shumë këndshëm, sapo kemi ardhur, në fillim kemi vizituar xhaminë, tani kemi ardhur këtu për të parë piramidën, na duket një vepër e bukur. Do të rrimë në Tiranë edhe ditë tjetër, pastaj do të shkojmë në Vlorë dhe më pas në Gjirokastër. Njerëzit janë shumë miqësorë. Çuditërisht, të gjithë që kemi takuar ishin shumë miqësorë dhe mikpritës”.

Një tjetër turiste e lindur në Nigeri, por e rritur në Londër shprehet se “është hera e parë që vij në Shqipëri. Shumë bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe është shumë lirë. Po ia kalojmë shumë këndshëm këtu. Kam parë qendrën e qytetit. Kemi ecur në këmbë, dje shkuam në Berat dhe qyteti ishte shumë i bukur. Një qytet me dritare të vogla. Ia kaluam shumë bukur atje. Do qëndroj në Shqipëri dy ditë. Pak a shumë ky udhëtim ngjan me një pushim fundjavë”.

Sipas saj, është një mundësi fantastike sepse është afër me Londrën dhe ka fluturime të lira nga Londra tani.

“Përpara se të vija më kanë thënë mos shko në Shqipëri se është vend i frikshëm. Por pashë se kudo njerëzit ishin të mrekullueshëm. Përfundimisht do të kthehem sepse ka kaq shumë vende për t’u vizituar. Mendoj se është ide e mirë të vish të Tiranë dhe më pas të bësh udhëtime ditore në qytetet rreth e rrotull”, shprehet ajo.

Një turiste nga Gjermania thekson se “është hera e parë që vij në Shqipëri dhe më pëlqen shumë. Kudo që shkon është shumë këndshëm. Do qëndroj 7 ditë. Ishim në Sarandë, më pas në Durrës dhe do të qëndrojmë dy ditë në Tiranë”.

“Saranda më duket një qytet i veçantë. Durrësi shumë i bukur me plazh të gjerë. Do të doja të vija sërish me pushime. Të gjitha vendet janë shumë të bukura për t’u vizituar. Do të doja të vija sërish me pushime. Të gjitha vendet janë shumë të bukura për t’u vizituar”, shprehet ajo.

Ndërsa një i ri nga Australia tha se “Shqipëria është vend i mirë. Njerëzit janë shumë të këndshëm. Do të qëndroj dy ditë, do të shëtis, do të shikoj xhamitë dhe kishat, shtëpinë e Enver Hoxhës dhe ndoshta më vonë do të shoh edhe ndonjë gjë tjetër”.

I pyetur nëse e njihte më parë Shqipërinë, ai thotë se “vetëm pak informacione nga interneti. Dukej vend pak misterioz. Prandaj edha”.

Një i ri nga Zelanda e Re, por që jeton në Suedi thekson se “është hera e parë në Shqipëri, është një vend i mirë. Kemi dy javë për udhëtimin tonë në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Një udhëtim shumë i mirë”.

“Kam qenë në veri, në Shkodër, në Tiranë dhe më pas do të vazhdoj në jug. Pra kam parë pjesën më të madhe të vendit. Çdo gjë kushton lirë për turizmin europian. Ushqimi dhe hoteli ishin shumë të mirë. Pra , një udhëtim shumë i mirë”-, nënvizon ai.

Ai thotë se “do t’ua rekomandoj shokëve. Kërkuam në internet kur menduam të bënim një udhëtim në Europën Lindore. Ne kërkuam gjërat që mund të bënim në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë dhe përreth. Gjetëm shumë informacione në internet si për shembull në Lonely Planet. Bëmë kërkime dhe prenotuam”.

Ndërsa një i ri nga SHBA u shpreh se “është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Deri tani më duket shumë bukur. Njerëzit janë të këndshëm dhe ushqimi shumë i mirë. Nuk kam ankesa. Kam një histori shumë interesante. Po bëj një tur të lirë të cilin po e shijoj shumë. Do qëndroj në Shqipëri për pesë ditë”.

“Përveç Tiranës do shkoj në Shkodër dhe më pas do ngjitem lart në mal. Po do vizitoj Thethin, Valbonën. Miqtë e mi europianë që kanë bërë ecje në mal më kanë thënë që është shumë bukur. Njerëzit kanë qenë shumë miqësorë. Dje në darkë patëm mundësinë të shkonim në shumë bare. Provuam ushqimin tradicional ballkanas me shumë erëza dhe na pëlqeu tej mase. Këtu ofrohen lloje të ndryshme gatimesh”, thotë ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com