Kryeministri i vendit Edi Rama, deklaroi sot se, “shtyrja e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, është shkelje e Kushtetutës”.
Në një konferencë me përfaqësues të medias,Kryeministri u shpreh se, “ka një mijë gjëra për të dialoguar me opozitën dhe ata e thotë çdo ditë që nuk duan as karrige, as pushtet, ata duan që Shqipëria të jetë më e mirë dhe që Shqipëria të jetë më e mirë, ka shumë gjëra që duhen bërë akoma, ka reforma të rëndësishme, por për të qenë më konkret autobusi i 30 qershorit iku, sepse kur qëndroi në stacion ne i hipëm, disa të tjerë i hipën dhe ata nuk i hipën”.
Duke iu referuar zgjedhjeve të përgjithshme, Kryeministri shpjegoi se, “treni i 2021 vjen shpejt. Ata kanë shumë gjëra për të thënë për procesin zgjedhor legjislacionin dhe të tjera, ne kemi idetë tona për çfarë të dialogojmë, që të kemi zgjedhje shumë më të mira seç kemi pasur, kur të vinë ato të përgjithshmet ndaj dhe është koha për tu ulur e për të diskutuar për këto gjëra”.
“Dialogu është i hapur, unë nuk vë kushte, nuk jam si paraardhësi im apo si miku im përballë që vendos kushte “ik ti që të fillojmë të flasim”, unë them “kur do flasim, ai më thotë ik ti”, me kë do flasë, me murin? Unë s’marr përsipër që të dal mbi Kushtetutën”, – tha Kreu i Ekzekutivit.
“Zgjedhjet janë garë dhe kanë sfidën e vet. Tjetër është ti mundësh kur ikin me vrap, dhe tjetër kur i ke përballë dhe ata kanë ikur me vrap”, – tha Rama. /atsh