Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bashkua me grumbullimin e mbështetësve të opozitës dhe krerëve të partive aleate pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës. Protestuesit kërkojnë lirimin e të shoqëruarve për akte dhune një natë më parë.
Basha u tha mbështetësve të opozitës se protestat do të jenë të përhershme deri në largimin sipas tij, të qeverisë së zgjedhur me vota të blera.
“Javë pas jave e muaj pas muaji që nga dita kur Edi Rama e mori pushtetin me bandën e krimit është asgjësuar çdo institucion. Parlamenti ishte i pari që ra. Në ato karrige ulen sot figurina që janë zgjedhur me gishtat, duart, mendjet e krimit dhe jo me votën e lirë të shqiptarëve. Ata nuk përfaqësojnë as demokratët, as socialistët, por faqen e zezë, llumin që e ka marrë peng këtë vend”, tha Basha.
Sipas tij, e gjithë Shqipëria është e bashkuar “kundër një grushti horrash që përmes një grushti shteti kanë instaluar juntën në vend”. /atsh