Loading...

Shqipëria destinacioni i 240 mijë turistëve të huaj vetëm në mars 2019

Rreth 240 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në muajin mars të këtij viti.

Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili thekson se se “shifrat në rritje të turizmit në muajt e parë të 2019-s flasin për një vit turistik më të suksesshëm se paraardhësi”.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë shënuar 12% turistë të huaj më shumë se në mars 2018.

“Ndërsa gjatë 3-mujorit të parë të 2019 janë shënuar 2,8% vizitorë të huaj më shumë se në të njëtën periudhë të 2018”, shprehet Klosi.

Shtetasit e huaj që kanë vizituar më shumë Shqipërinë janë maqedonasit, grekët, polakët, zviceranët, spanjollët, amerikanët dhe gjermanët.

Shqipëria është shumë e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet e bukura malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Gjatë vitit 2018 Shqipëria u bë destinacioni turistik i 6 milionë turistëve, të cilët vizituan vendin tonë duke shijuar bukuritë natyrore, bregdetin, vendet e trashëgimisë, mikpritjen si dhe kulinarinë tradicionale. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com