Dita e Europës që mbahet çdo vit më 9 maj, kremton paqen dhe unitetin në Europë.
Kjo datë shënon përvjetorin e deklaratës historike të Shumanit.
Gjatë një fjalimi në Paris në vitin 1950, Robert Shuman, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, prezantoi idenë e tij për një forme të re të bashkëpunimit politik në Europë, e cila luftërat mes popujve të Europës do t’i bënte të paimagjinueshme.
Me rastin e Ditës së Europës, Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të thotë mirëmëngjes me himni Europian, një pjesë nga preludi i “Odës së Gëzimit” të simfonisë së 9-të të Bethovenit.
Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Europian.
Atë ditë në Paris, Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera europiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.
Ai propozoi krijimin e një institucioni europian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 majin si “Dita e Europës”.
Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Është mjaft domethënës fakti që për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane.
Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin evropian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian në vitin 1990, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Europian./atsh