Kjo ekspozitë sjell për publikun promovimin dhe kultivimin e vlerave të shquara dhe të dallueshme të shoqërisë shqiptare dhe bashkëjetesën në diversitetin fetar në paqe, harmoni dhe integritet.
Kjo ekspozitë e përgatitur me shumë kujdes nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
përbëhet nga 11 stenda me fotografi dhe dokumente të Arkivit Qendror Shtetëror ku pasqyrohet bashkëjetesa fetare në Shqipëri.
Në ceremoninë e hapjes të kësaj ekspozite ishin të pranishëm drejtuesit e komuniteteve fetare të Shqipërisë si dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi.
”Bashkëjetesa jonë fetare ka rrënjë tepër të thella. At Gjergj Fishta shkruante se si të krishterë ashtu dhe muslimanë Shqipnin të gjithë e kanë. Papa Françesku ka folur me entuziazëm të madh për harmoninë mes besimeve tona duke theksuar se jemi një truall pjellor edhe për dialogun ndërfetar”, theksoi në fjalën e tij Imzot Frendo.
Kreu i komunitetit bektashi theksoi se ndante të njëjtën ide se veprimtari të tilla janë në dobi të zhvillimeve fetare, politike dhe morale për vendin tonë. Kjo tolerancë, që vendi ynë ka treguar prej vitesh, është një mrekulli shqiptare.
Pastor Doçi pasi bëri një përmbledhje të historikut të Ungjillorëve në vendin tonë tha se: “Të gjithë të krishterët bazohen tek një Ungjill i njëjtë. Ungjilli është një lajm dhe është pikërisht thelbi kyç i komunitetit tonë ungjillor. Ne jemi një produkt i konvertimit të lirë, falë kësaj vëllazërie ndërfetare”.
Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim i Institutit të Bashkëpunimit për Integrimin dhe Zhvillimin, Muzeu Historik Kombëtar, Komunitetet Fetare të Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Institucionet Ndërkombëtare dhe Shqiptare të Arsimit të Lartë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë deri më datë 8 maj. /atsh