Vija bregdetare përgjatë shëtitores “Lungomare”, do të jetë totalisht e pastër.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, ka hartuar projektin që i jep fund derdhjes në det të ujërave të zeza dhe të ndotura.
Projekti aktualisht është dërguar pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe gjendet në proces tenderimi, për të nisur nga zbatimi shumë shpejt, ndërsa ka marrë miratimin e Këshillit Teknik.
“Ky është një premtim i mbajtur i kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Derdhja e ujërave të zeza në det, ka qenë një problem shqetësues për qytetin, por tashmë është drejt zgjidhjes”, – tha për ATSH drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Dorian Xhelili.
Xhelili shprehet se “projekti parashikon lidhjen me rrjetin e kanalizimeve të banesave apo objekteve të ndërtuara në zonat informale dhe që kanë qenë të patrajtuara, në zonën nga ish-Fabrika e Cimentos, tek “Bishti Kalldrëmit”, në kodrën pranë këtyre zonave deri në “Ujë të Ftohtë” te Tuneli, që nuk kanë qenë të përfshira ndonjëherë në rrjetin e kanalizimeve sipasojë e ndërtimeve që janë bërë ndër vite. Por janë ndërtuar edhe përpara se Impianti i Vlorës të projketohej”.
Sipas tij, këto banesa apo objekte momentalisht nuk kanë lidhje me rrjetin e kanalizimeve, ndërsa ujërat e ndotura me këtë projekt do të kalojnë në Stacionet e Pompimit.
“Brenda këtij viti pritet që situata të stabilizohet dhe të kemi një bregdet të pastër pa ujëra detar të ndotur. Një tjetër projekt i rëndësishëm do të jetë edhe ai i ridimensionimit të Stacioneve të Pompimit ekzistues në “Lungomare””, – u shpreh Xhelili.
Investimi është bashkëkohor me sistemin ‘Scada’ me monitorim 24 orë me kamera dhe sistem alarmi.
“Projekti për këtë investim është duke u hartuar dhe në të përfshihen Stacionet e Pompimit në “Lungomare”, ai tek ish-Parku i Tregtisë dhe tek ish-Fabrika e Makaronave”,- tha ai.
Kreu i ujësjellësit të Vlorës sqaroi se “do të zëvendësohen edhe pompat dhe panelet elektrike në stacionet e pompimit”.
I përuruar në maj të 2017, Lungomare është cilësuar si projekti më i rëndësishëm në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës. Jo vetëm, në stinën e verës , por edhe të dimrit Lungomare është ndër më tërheqësit për turistët vendas e të huaj./atsh