“Me përfundimin e afatit të regjistrimit të partive politike në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita e rrugës ka vendosur të dalë edhe nga rruga e zgjedhjeve, pasi doli nga rruga e jetës parlamentare”, tha sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama, ndërsa komentoi këtë vendim të opozitës.
Rama tha se “opozita zgjodhi dy forma ekstreme në kundërshtim të plotë me vijën e logjikës demokratike, të panjohura dhe të padëgjuara më parë por të provuara si një rrugë e vetëshkatërrimit”.
Në vend që të luftonin me program dhe ide, opozita zgjodhi të luftojë me kërcënime dhe kapsolla, tha Rama, duke shtuar se “ata jo vetëm nuk përfaqësuan zgjedhësit e tyre në Kuvend, por kanë vendosur t’i nxjerrin ata nga rruga e betejës demokratike dhe t’i përdorin si mish për top, duke u fshehur pas tyre”.
“Ne nuk kemi zgjedhje tjetër vetëm të vijojmë me rrugën tonë, pa u marrë me ata, pa devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht rreziqeve të një procesi kur parti dhe disa kryetarë pa parti përbetohen se do ta dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se i mirëkupton të gjithë ata që mendojnë se zgjedhjet pa këto parti janë anormale, por ju them të gjithëve se kjo nuk është as zgjedhja jonë dhe as faji ynë”.
“Në këndvështrimin tonë kemi bërë gjithçka që kemi pasur në dorë që kjo të mos ndodhte. Mund të bënim më shumë? Mbase, por unë nuk e di se çfarë mund të bënim më shumë”, tha Rama. /atsh