Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot pas firmosjes së marrëveshjes me partitë e koalicionit të bashkuar opozitar se, hapi i parë është kthimi i vendimmarrjes së shqiptarëve.
“Nuk do të lejojmë që vullneti i shqiptarëve të drejtohet nga krimi që më pas prodhon një parlament fals, një qeveri false”, – tha ai.
“Kemi përfunduar paraditen e sotme nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit opozitar për zgjedhjet e ardhshme. Në orët dhe ditët në vijim, ky koalicion do të shtohet me radhët e të tjerë aktorëve”, – u shpreh Basha për mediet.
“Zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë pa u ndëshkuar krimi elektoral, pa u vënë para përgjegjësisë Edi Rama e bashkëpunëtorët e tij”, – shtoi më tej Basha.
I pyetur në lidhje me partinë Bindja Demokratike, të drejtuar nga Astrit Patozi, Basha tha se, “gjeneza e të keqes ku ndodhemi janë zgjedhjet false të diktuara nga krimi. Nuk do ketë më zgjedhje false, qeveri false, as opozitë false”./atsh