Loading...

Nisma Adriatiko-Joniane, 4 shtete të BE-së avokate të hapjes së negociatave me Shqipërinë

“Italia, Greqia, Sllovenia, Kroacia janë avokatë të hapjes së negociatave me Shqipërinë”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mori pjesë në Konferencën XVI të kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, e cila u mbajt në Budva, të Malit të Zi. Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Italia, Greqia, Sllovenia dhe Kroacia, si shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe njëkohësisht anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë, në rrugëtimin e saj europian.

Ruçi shprehu bindjen se kjo mbështetje nuk do të mungojë edhe gjatë këtyre muajve vendimtarë, deri në qershor 2019, mbështetje, e cila u konfirmua nga të gjithë kryeparlamentarët e këtyre vendeve, të pranishëm në konferencë.

Ruçi, u kërkoi vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, që t’u dërgojnë njëzëri shteteve anëtare të BE-së mesazhin se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, nuk do të jetë një problem më tepër, por një vlerë e shtuar për këtë organizatë të madhe e të fuqishme demokratike, kërkesë, e cila u mbështet fuqimisht, nga të gjithë kryeparlamentarët e nëntë vendeve anëtare të Nismës.

Kryetari i Kuvendit Ruçi, përshëndeti Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, si vende anëtare të Nismës, për vizionin europian dhe guximin e përgjegjshmërinë në zgjidhjen përfundimisht të mosmarrëveshjeve dhe mbështetjen e fuqishme, që i hapën rrugë përshpejtimit të proceseve integruese të Maqedonisë së Veriut.

Ruçi inkurajoi anëtarin tjetër të Nismës, Serbinë, të ecë me vendosmëri drejt një dialogu të sinqertë dhe produktiv me Kosovën, dialog, i cili me mbështetjen dhe bekimin e partnerëve strategjikë, BE dhe SHBA, të prodhojë zgjidhje të dobishme e të qëndrueshme, që garanton zhvillimin, paqen, sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe të gjithë rajonit.

“Nisma Adriatiko-Joniane, e cila po mbush dy dekada, ka shërbyer si një katalizator zhvillimi, integrimi, globalizimi dhe mirëqenieje për të gjitha vendet e rajonit. Filozofia e “Deklaratës së Ankonës”, ka funksionuar më së miri. Duke lidhur natyrshëm Bashkimin Europian me Europën Juglindore dhe Europën me Mesdheun, vendet tona ia kanë arritur që mbi këtë urë natyrore të bashkëndërtojnë ura ekonomike, tregtare, kulturore, vlerash dhe miqësish midis njerëzve punëtorë e paqedashës të rajonit”, vuri në dukje kryetari i Kuvendit.

Shqipëria e ka pasur dy herë Presidencën e nismës, gjatë viteve 2005-2006 dhe 2013-2014, dhe të dyja presidencat shqiptare kanë qenë të suksesshme dhe promotor të integrimit e bashkëpunimit rajonal.

Duke u ndalur në temën kryesore të Konferencës, zhvillimin e turizmit dhe kulturës, Kryetari i Kuvendit z. Ruçi nënvizoi se, këta sektorë janë ndër “magnetët” më të fuqishëm që tërheqin, nxisin e bashkojnë popujt e qytetarët, si dhe ekonomitë e tregjet.

1 nga 4

Gjatë qëndrimit në Budva, Ruçi zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokovic. Pasi falenderoi homologun për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë dhe po i jep integrimit europian të Shqipërisë,

Ruçi nënvizoi se Shqipëria dëshiron të përfitojë nga përvoja kroate, parlamenti i së cilës miratoi me konsensus të gjithë paketën e ligjeve të përafrimit me legjislacionin europian, mbi 600 ligje.

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Jandrokovic, nënvizoi se, 10 vitet e parë të anëtarësimit në NATO, i kanë afruar më shumë Shqipërinë dhe Kroacinë, dhe kanë fuqizuar partneritetin e lidhjet e fuqishme historike midis të dy vendeve. “Kroacia do të vazhdojë të jetë një avokate e fuqishme e Shqipërisë dhe do të lobojë fort për hapjen e negociatave, në qershor 2019, duke bindur udhëheqësit e rinj europianë, mbi rëndësinë e avancimit të procesit për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera, të Ballkanit Perëndimor”, vuri në dukje kryeparlamentari Jandrokovic, i cili premtoi se Parlamenti kroat, do t’i japë Kuvendit të Shqipërisë, asistencën dhe përvojën e vet, në procesin e hapjes së negociatave.

Me këtë rast, Kryetari Jandrokovic, përsëriti ftesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ruçi, për vizitë zyrtare në Kroaci, vizitë e cila, do të realizohet së shpejti.

Edhe gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Dejan Židan, Kryetari Ruçi shprehu bindjen se, mbështetja e Sllovenisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë do të vazhdojë, duke mbështetur hapjen e negociatave, në qershor 2019. Kryeparlamentari slloven, Židan, premtoi mbështetjen e fuqishme të Sllovenisë, për hapjen e negociatave, në qershor 2019. Kryetari Židan, ftoi Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, për vizitë zyrtare në Slloveni, vizitë e cila, do të realizohet së shpejti.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajovic. Me homologun malazez, u diskutua, mbi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e politik midis të dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve e marrëdhënieve ndërparlamentare, si nxitëse të bashkëpunimit, në të gjitha fushat.

Kryetari Ruçi i përsëriti Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Brajoviç, ftesën për vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila do të zhvillohet në muajt e ardhshëm/atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com