Loading...

Çelet në Kalanë e Tiranës ekspozita “Një Komb, një Abc”

“Një Komb, një Abc” titullohet ekspozita që u çel për publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me kalanë e Tiranës, me rastin e 7 marsit, e cila organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës.

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido, Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizimit në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe mësues dhe nxënës të shkollave të kryeqytetit.

Ekspozita përmban foto dhe dokumente të rralla të Kongresit të Manastirit, i cili ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë ishin Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës dhe Gjergj Zavalani. Në këtë ekspozitë mund të shihni dhe mjaft fotografi dhe dokumente të tjera.

Ekspozita vjen në Tiranë për herë të parë në ambientet e Kalasë së Tiranës, ku do të mirëpresë deri më datë 14 mars të gjithë vizitorët. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com