Loading...

Rama: “PD dhe LSI po godasin vendin”

Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Përgjigja ime” ka deklaruar se dy partitë më të mëdha opozitare PD dhe LSI, i tremben humbjes së zgjedhjeve të qershorit, duke shtuar se baltosja nga ana e tyre po ndikon në imazhin e vendit.

“Shumica nuk e do baltosjen dhe ziftosjen e Shqipërisë në gjuhë të huaj. Përkundrazi e vuajnë sinqerisht dhe e dënojnë moralisht një qasje të tillë prej humbësish pa pikë dinjiteti, që janë gati t’i lënë Shqipërisë faturën e dëshpërimit të tyre për pushtetin e humbur. Kur nënshkruam me Bashën marrëveshjen parazgjedhore të 2017-ës, unë i dhashë atij gjithçka që kërkoi dhe i kërkova vetëm dy gjëra, rezultati nuk kontestohet, dhe se Shqipëria nuk shahet në gjuhë të huaj. Por u desh një sezon veror që këto dy pika të harroheshin, dhe të fillonte avazi i vjetër, për të arritur kulmin së fundmi. Kontestohet një fitore e thellë dhe e pastër e PS, sepse një tjetër humbje e thellë dhe e pastër po afron për PD dhe si motrën e saj LSI, e cila është prurësja dhe mishëruesja e fenomenit të shitblerjes së votës. Po të mos kishte LSI, nuk dot kishte as shitblerje vote në Shqipëri, dhe këtë e dinë të gjithë”, u shpreh Rama.

Sipas Kryeministrit dhuna e shfaqur në protestat e opozitës dëmton imazhin e Shqipërisë, e cila sipas tij përkthehet në dekurajim të turizmit dhe ulje të ekonomisë.

“Prodhimi i brendshëm i lajmeve të këqija për eksport, nga lajmet e paguara deri te intervistat e paguara dhe të shfazuara si ajo e Lulzim Bashës, veçse e karikaturizojnë imazhin e Shqipërisë, e bëjnë qesharak figurën e politikanit në sytë e botës, dhe godasin shtëpinë tonë. Godasin një burim të pazëvendësueshëm të ekonomisë tonë, vizitorin e huaj, sipërmarrësin e huaj dhe jo vetëm kaq, ky lloj eksporti i baltës dhe ziftit shqiptarë përmes kanaleve të huaja godet edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë nëpër botë, u ulë kokën në sytë e të tjerëve, dhe u komplikojnë jetën, pasi zgjon te të tjerët frikërat dhe paragjykimet e së shkuarës, ku Shqiptarët shiheshin padrejtësisht si djalli vetë. Dhuna godet imazhin e Shqipërisë, ekonominë dhe dekurajon turizmin, ul konsumin dhe dobëson familjet që jetojnë me punë”, u shpreh Rama.

Kryeministri në përgjigjen e tij u ndal edhe te ndërprerja e shërbimeve nga ana e disa prej bashkive në vend, të cilat sipas tij i janë bashkuar protestës së opozitës, duke mbyllur shërbimet për qytetarët.

“Këtë duhet ta dijë mirë kushdo që shkon dhe u bashkohet punonjësve partiakë të bashkive të opozitës, të cilat po e mbyllin pa nder dhe pa asnjë lavdi, mandatin duke kyçur dyert e shërbimeve dhe duke marrë autobusin opozitar për në Tiranë. Taksat e qytetarëve të Shkodrës, Lezhës, Kavajës, Rrogozhinës, Kukësit, Mallkastërs, burelit, Cërrikut, Çorovodës e me radhë, janë bërë kryesisht rroga, dhe tani me ato roga paguhen turistët e opozitarizmit të rrugës, jashtë sistemit. Opozita po sillet si i mbytur që të mbytë, dhe nuk është qeveria ajo që mund të mbytet në këtë dalldisje dëshpërimi, por Shqipëria që mbytet në sytë e çdo të huaji, që kapt nga dallga e marrëzive që eksportohet në kanalet e huaja”, – vijoi Kryeministri./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1227524174082121/?t=0

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com