“Mesazhi që vjen nga Tuzi ku Forumi shqiptar – ‘Malësia na Bashkon’ arriti një rezultat historik, është padyshim më shpresëdhënësi për shqiptarët në rajon, pas formësimit të platformës së bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në fillimin e vitit 2017”.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati tha se ky hap i madh përpara, është tregues i pjekurisë politike të udhëheqjes së partive shqiptare në Malin e Zi dhe në të njëjtën kohë burim frymëzimi për fuqizimin e mëtejshëm të kohezionit të faktorit shqiptar në rajon, si kontribut për stabilitetin demokratik dhe përkatësinë euro-atlantike.
“Angazhimi i diasporës për fitoren e korrur në Tuz përbën një shembull të vërtetë të manifestimit të vetëdijes kombëtare, larg paradave e përbetimeve pa përmbajtje. Tuzi na tregoi qartë gjithashtu nevojën për të ndarë politikën e ditës nga prioritetet kombëtare”, ka theksuar Bushati.
Tashmë, ka vijuar Bushati, “para shqiptarëve shtrohet një sfidë edhe më e madhe në horizont. Ajo e drejtimit, zhvillimit dhe modernizimit të Tuzit përmes bashkëpunimit dhe bashkëjetesës shembullore me malazezët dhe të gjithë grupimet e tjera etnike”./atsh