Loading...

Nis fushata ndërkombëtare për promovimin e turizmit shqiptar

“Be taken by Albania” u gjend si shprehje nga të rinjtë dhe të rejat e Federatës së Rafting Albania atëherë kur ata panë turistët që vizitonin kanionet e Osumit, dhe kur ndjenë pasthirrmat e turistëve që shihnin madhështinë e Alpeve shqiptare, kur shijuan bukurinë e Korçës, traditën e Shkodrës dhe bukuritë e agroturizmit shqiptar.

Kjo është një pasthirrmë e gjithë atyre turistëve që kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë parë sa e bukur është natyra jonë”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë prezantimit të fushatës ndërkombëtare dixhitale ”Be taken by Albania”.

“Të bukurën shqiptare duam t’ia ofrojmë turizmit, duam të integrohemi në familjen e Bashkimit Europian duke i ofruar asaj bukurinë e natyrës shqiptare, energjinë tonë rinore, t’i ofrojmë ushqimet bio dhe mbi të gjitha t’i ofrojmë Europës turizmin shqiptar, mikpritjen, buzëqeshjen e të rinjve shqiptarë.

Në vitin e kaluar kanë vizituar vendin tonë 1 milion turistë më shumë se një vit më parë. Për këta turistë duhet të bëjmë turizëm me traditën”, tha Klosi.

“Sot jemi në një botë tjetër turistike, ku turizmi është një kombinim i bukurisë së qyteteve me natyrën, bregdeteve të kombinuara me malin, ditët e plazhit të kombinuara me kulinarinë pra janë mundësi të arta që ne duhet t’ia ofrojmë turistëve për të pasur mundësinë që sfida jonë 10 milionë turistë të jetë e vërtetë”, theksoi ministri Klosi.

”Në verë ne do të lançojmë përsëri projektin tonë ”Smile Albania” për të ofruar 1 mijë buzëqeshje kudo në Shqipëri. Gjithashtu Samiti i Diasporës është mundësia e artë që ne t’i kërkojmë të gjithë shqiptarëve t’i ftojnë njerëzitë dhe miqtë e tyre të vizitojnë Shqipërinë për t’u rrëmbyer nga bukuritë e vendeve që ne kemi”, vijoi ai.

Klosi shtoi se Shqipëria ka shumë për të ofruar. “Kemi mikpritjen, buzëqeshjen pasi shumë gjëra kanë ndryshuar por ne nuk e kemi ndryshuar buzëqeshjen, kemi përsëri buzëqeshjen mikpritëse pra kemi një Shqipëri që padyshim mund të ofrojë magjinë”, tha ai.

“Turizmi është ekonomi, punësim është e ardhmja dhe ne e kemi këtë mundësi të artë, të rrëmbehemi ta bëjmë Shqipërinë turistike, ta tregojmë këtë vend siç është dhe të jemi pjesë e nismave të tilla si kjo sot.

Pra, le të rrëmbehemi dhe ne nga Shqipëria, nga pasioni për të paraqitur një Shqipëri tjetër, nga buzëqeshja tradicionale e njerëzve të thjeshtë të këtij populli të mrekullueshëm”, përfundoi Klosi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com