Loading...

Rritet me 4% numri i udhëtarëve nga aeroporti i Rinasit

Fluksi i udhëtarëve që zgjedhin të përdorin transportin ajror në Shqipëri vijon të shënojë rritje të vazhdueshme për disa vite me radhë.

Sipas INSTAT, nga aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Tiranë, udhëtuan 222 mijë pasagjerë, ose 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Tregu i transportit ajror të individëve, duket se ka kërkesë të lartë në rritje por edhe potenciale të mëdha zhvillimi.

Në këtë kontekst janë edhe projektet e qeverisë për ndërtimin e aeroporteve të reja në disa qytete të tjera të vendit që janë pika kyçe të zhvillimit të turizmit, ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare.

Këtë vit, pritet të nisë puna për rehabilitimin dhe kthimin në gjendje pune të aeroportit të Kukësit, përmes një marrëveshjeje të partneritetit publik-privat. Ndërkohë, qeveria ka projektuar ndërtimin e aeroportit të Vlorës, por edhe aeroporteve të tjera turistike që i përgjigjen kërkesës së shtuar të turistëve dhe vizitorëve të shumtë që e kanë kthyer tashmë Shqipërinë në një destinacion të preferuar dhe frekuentuar prej tyre./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com