Në vjeshtë qeveria do të hapë të gjitha ofertat publike për të bërë kontrata me sipërmarrje të ndryshme dhe për të filluar punën në kantierin për universitetet.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra, ku zhvilloi një takim me studentët e Universitetit “Eqerem Çabej” në kuadër të Paktit për Universitetin.
“Ne po bëjmë me të gjitha universitetet në këtë fazë inventarizimin e nevojave në bazë të projekteve. Ne jemi dakord për Shtëpinë e Ushtarakëve, por duhet një projekt konkret se çfarë do të bëhet dhe sa kushton”, tha Rama.
Po ashtu ai ftoi universitetet të bëjnë projekte konkrete për çdo nevojë që ata kanë, si për laboratorë, auditorë, konvikte etj.
Rama kërkoi që Universiteti i Gjirokastrës të ketë në fundin e sezonit një dosje të nevojave me projekte konkrete.
“Është projekti që nxjerr financimin, jo nevoja dhe mbi atë bazë ne do të mbledhim të gjitha dosjet nga universitetet dhe do të bëjmë dosjen e madhe kombëtare të Rilindjes së Universitetit. Le të jetë pjesa tjetër e mandatit tonë pjesa e kantierit për universitetet”, tha Rama. /atsh