Loading...

Shahini: 90 mijë studentë përfitojnë nga përgjysmimi i tarifave

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaroi të premten se pas përfundimit të takimeve me trupën pedagogjike dhe studentët e të gjithë universiteteve, drafti “Pakti për Universitetin” do të marrë formën e një kontrate sociale.

Në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, Shahini tha se protesta e dhjetorit solli nevojën e trajtimit të të gjitha problematikave me të cilat hasen studentët. Ministrja garantoi studentët se do të sigurohet infrastruktura e nevojshme mësimore si dhe do të rritet cilësia në mësimdhënie.

“Pakti për Universitetin do të plotësohet në të gjitha takimet, derisa të arrijmë me një draft më të mirë, ku marrim përsipër të garantojmë infrastrukturën e nevojshme mësimore si dhe cilësinë në mësimdhënie ku garant do të bëheni edhe ju si studentë. Një nga kërkesat e artikuluara në dhjetor ishte ajo për ndihmë financiare. Përgjysmimi i tarifave dhe bursave të ofruara. 2 miliardë lekë të reja do të reflektohet në buxhetin e 2019 dhe prek 90 mijë studentë në të gjithë Shqipërinë. Janë përgjysmuar të gjitha tarifat për studentët, janë ndarë bursa për ekslentët si dhe janë përfshirë të gjithë studentë që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, duke u dhënë shans për një jetesë më të mirë”, – tha Shahini.

Më tej, ministrja vlerësoi se pjesa më e vështirë nuk ka lidhje me financimin, por me cilësinë në arsim.

“Pjesa më e vështirë nuk është financimi por pjesa e vështirë fillon tani. Bashkarisht duket të sigurojmë cilësi më të madhe në mësimdhënie. Grupi i punës që është themeluar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave ka zhvilluar diskutim me studentë dhe pedagoge për të bërë nxjerrë në pah problematikat infrastrukturore, po kështu për të plotësuar mbi problematikat që keni trajtuar edhe në shkresat që universiteti juaj na keni dërguar”, -sqaroi ndër të tjera ministrja./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com