Në këtë moment të gjithë shqiptarët duhet të jenë me një zë që akte të tilla të mos përsëriten.
Kështu theksoi sot Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në një reagim për mediet pas incidentit të shkaktuar në seancën plenare të Kuvendit, ku deputeti i PD-së, Edi Paloka qëlloi me bojë Kryeministrin Edi Rama.
“Opozita në protestën e të shtunës do ta kthejë atë bojë në zjarr për të djegur Shqipërinë dhe ne besojmë dhe kemi arsye të forta për të besuar se sa herë Shqipëria i ka punët mirë, sa herë rajoni dhe faktori shqiptar forcohet opozita gjen një mënyrë për të turpëruar Shqipërinë në sytë e botës. U themi njerëzve që patjetër janë më të zgjuar dhe më inteligjentë se ajo turmë që u fut sot në Kuvend për të bërë atë shfaqje që të mos ndjekin zjarrin e opozitës, por të qëndrojnë deri në fund me Shqipërinë dhe për Shqipërinë”, nënvizoi Spiropali.
Në lidhje me masat që do të merren ndaj deputetëve të opozitës, Spiropali tha se do të vendosë kryesia e Kuvendit.
“Qytetarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre duke i flakur këta të pacipë ne koshin e historisë”, tha Spiropali. /atsh