Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Lugi Soreca ka apeluar për zhvillimin e një manifestimi paqësor në demonstratën e 16 Shkurtit në Tiranë.
Në një intervistë për Deutsche Welle, ai tha se, “ky është një moment me rëndësi për Shqipërinë në kuptimin që e drejta e tubimit, e drejta e fjalës, janë një pjesë thelbësore e çdo shoqërie demokratike.
Por, është gjithashtu e vërtetë që këto të drejta duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore”.
Prandaj, nënvizoi ai, “presim një manifestim paqësor, që të mos kthehet në dhunë. Kjo është një thirrje për të gjitha palët e përfshira. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë konstruktivë.
“Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë.
Nuk ka kohë për të humbur, është koha për të shprehur mendime dhe pastaj të mendojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, theksoi ambasadori Soreca.
Ai tha se, “nga deklaratat më të fundit të organizatorëve, kuptohet që ata duan të sigurojnë që do të marrin të gjitha masat për të bërë të mundur që siguria e qytetarëve të përfshirë të jetë e garantuar. Ky është lajm i mirë dhe shpresoj që të gjitha palët e përfshira do ta respektojnë”./atsh