Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti ka komentuar darkën e mbrëmshme mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj e disa liderëve të tjerë në Kosovë.
I ftuar në studion e emisionit “A Show” ai flet për një darkë interesash, por nuk përjashton mundësinë që të jetë shtruar për të ndryshuar qëndrimet e Haradinajt për taksën e vendosur ndaj Serbisë si dhe për marrëveshjen e kufirit me Serbinë.
“Besoj që kjo nuk është as darka e parë as e fundit e tyre, nuk di çfarë kanë pasur në menu, mirëpo bashkimi kombëtar nuk bëhet në zyra e shtëpi private, por në shesh e institucione publike, duke rritur ekonomitë tona, duke njehsuar tregun, duke harmonizuar politikat e jashtme dhe të mbrojtjes.
Darka e mbrëmshme më shumë menaxhim interesash brenda qeveritare se sa ndonjë përndritje për vizion në bashkimin kombëtar.
Adi Krasta: Është përfolur se ky grupim ishte mbledhur të ndryshonte qëndrimin e kryeministrit Haradinaj për taksën dhe marrëveshjen me Serbinë. Mund të ishte pritë që Haradinaj të ndryshojë qëndrim?
Albin Kurti: Ka mundësi. Por nuk duhet të harrojmë origjinën e kërkesës. Ajo vjen nga Vuçiç. Edhe SHBA dhe BE na kërkojnë çfarë iu ka kërkuar Vuçiç. Ne atyre duhet t’ju përgjigjemi me kërkesat tona
Adi Krasta: Ti e mbështet taksën?
Albin Kurti: Sigurisht, tani bën mirë kryeministri Haradinaj të mos e heqë.