Në 8 muaj, Task Forca Antikorrupsion në bashkëpunim me të gjitha organet ligjzbatuese ka rekomanduar 327 masa administrative dhe 468 masa disiplinore, prej të cilave 108 janë largime nga shërbimi civil apo largime nga puna për punonjës të administratës publike që kanë shkelur ligjin.
Statistikat u bënë sot të ditura nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila iu referua rezultateve konkrete të punës së kësaj Task Force.
Sipas saj, përgjatë 8 muajve janë 36 punonjës të kallëzuar penalisht pranë organeve të Prokurorisë, për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Konkretisht, pas denoncimit të kryer në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” Task Forca Antikorrupsion ka kryer një kontroll të detajuar në Drejtorinë Rajonale Tatimore Vlorë, lidhur me verifikimin e procedurave për faturat tatimore të deklaruara me vonesë, të administruara në periudhën janar-tetor 2018 si dhe procedurat e rimbursimit.
Bazuar në shkeljet e konstatuara, Gjonaj tha se “Task Forca Antikorrupsion rekomandoi 10 masa disiplinore, prej të cilave: largimin nga shërbimi civil të Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore Vlorë, të 3 inspektorëve kontrolli të po kësaj drejtorie, si dhe marrjen e masave disiplinore për 6 punonjës, Drejtorin e Kontrollit, përgjegjësin e kontrollit dhe 4 inspektorë kontrolli”.
Po ashtu, gjetjet e këtij raporti, Task Forca Antikorrupsion do t’i referojë në prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë, si material shtesë në vijim të kallëzimit të bërë në muajin korrik të vitit 2018 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në rekomandimet e TFA.
Nga ana tjetër, edhe Policia e Shtetit ka vijuar angazhimin e saj institucional në identifikimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.
Gjatë javës së kaluar, sipas ministres, nga Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori materialet për 18 raste të veprave penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, duke proceduar penalisht 27 autorë. /atsh