Projekti për restaurimin e Qendrës Historike e Vlorës e cila ndërthur diversitetin dhe bashkëjetesën e kulturave, feve dhe është pjesë e së përditshmes dhe e historisë është drejt përfundimit.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti së bashku me drejtues e inxhinierë të DRKK Vlorë inspektoi punimet në Qendrën Historike, Vlorë, ku është drejt përfundimit projekti
“Restaurim dhe rikualifikim urban i ansamblit ndёrtimor “Qendra Historike Vlore”.
Pas më shumë se një viti pune ky projekt i rëndësishëm ka rivitalizuar ‘zemrën’ e Vlorës përmes restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore.
Ky projekt bëhet i mundur falë bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, The_AADF sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës, Gjirokastrës.
Është tashmë i njohur programi i Qeverisë shqiptare që udhëhiqet nga Ministria e Kulturës, për rijetëzimin e qendrave historike dhe kthimin e tyre në pole jo veç tërheqëse për turistët por dhe për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të zonës. /atsh