Loading...

Pezullohet prokurori i Gjirokastrës

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë për prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli i dyshuar si i përfshirë në një aferë korrupsioni dhe dy persona të tjerë.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka vendosur pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitje për prokurorin, ndërsa për dy të tjerët, Ervin Hysaj dhe Ernest Duro, ka dhënë masën e arrestit me burg.

Të tre akuzohen për veprën penale të korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë. Prokurori Çoçoli u shoqërua në polici 10 ditë më parë pas një hetimi ndaj tij për korrupsion.

Në njoftimin e Prokurorisë për Krime të Rënda thuhet se janë duke u kryer hetime në lidhje me procedimin penal nr 08/2019 për veprat penale të parashikuara nga nenet 319 dhe 319/ç.

“Në kuadër të këtij procedimi penal, në datën 24.01.2019 Policia e Shtetit ka ekzekutuar vendimin nr.12 datë 24.01.2019 të Gjykatës se Shkallës së Parë për Krime të Rënda për caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg” për shtetasit nën hetim Ervin Hysaj dhe Ernest Duro, të dyshuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin” dhe Ernest Duro dhe për veprën penale “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal”, thekson Prokuroria.

“Kurse për të hetuarin Spartak Çoçoli, i dyshuar për veprën penale te “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve prokuroreve dhe funksionarëve te tjerë te drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal është nxjerrë masa e sigurimit personal e karakterit shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe masa e sigurimit personal e karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com