Policia e Lezhës në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, sekuestroi rreth 5.2 milionë euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, sekuestrimi është rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës, e cila ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
“Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar 2019″, theksohet në njoftim.
Sipas Policisë së Shtetit sekuestrimi i llogarive bankare kap vlerën totale rreth 5.2 milionë euro dhe 7 apartamente. //atsh