626.956 vërtetime janë dhënë përmes portalit e-Albania nga Administrata Tatimore, për periudhën janar – dhjetor 2018 për individët, subjektet e interesuara, si edhe direkt nga punonjësit e institucioneve të përfshira në këtë portal.
Pjesa më e madhe janë vërtetime për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të marra nga individë apo subjekte, por edhe për pagim detyrimesh etj..
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se, gjatë vitit 2018, ka ofruar një sërë shërbimesh për tatimpaguesit, individët dhe institucionet publike, si në rrugë elektronik, ashtu edhe në sportele, pa asnjë kosto dhe në çdo kohë.
Ofrimi i shumë shërbimeve në rrugë elektronike ka bërë që të reduktohen ndjeshëm kontaktet e drejtëpërdrejta me administratën, radhët e gjata dhe koha e pritjes. Për vitin 2018 janë dhënë 41,153 vërtetime në sportelet e Zyrave të Shërbimit të Tatimpaguesve, në një kohë që për vitin 2017 janë dhënë rreth 250,000 vërtetime në spotele.
Administrata Tatimore inkurajon marrjen e shërbimeve të saj përmes portalit e-Albania dhe mbetet e angazhuar maksimalisht për të ofruar për tatimpaguesit, në çdo kohë e me sa më pak kosto shërbime cilësore./atsh