Kryeministri Edi Rama njoftoi sot shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, i denoncuar mbrëmjen e djeshme nga emisioni Fiks Fare për sorrollatjen e një qytetari.
Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Rama tha se “ka njerëz të padenjë, që për fat të keq nuk na mungojnë në zyrat e shërbimeve”.
“Kështu ishte edhe rasti i djeshëm i denoncuar nga emisioni Fiks Fare i një drejtori që meriton vetëm një përcaktim, një halabak, për të cilin është marrë menjëherë masa e shkarkimit dhe Ministrja e Drejtësisë në raportin e përjavshëm që përkon me bashkëqeverisjen do ta komunikojë për publikun”, tha Rama.
Kreu i qeverisë përsëriti thirrjen për qytetarët që kanë të tilla pengesa dhe problematika, që t’i drejtohen platformës shqipëriaqëduam.al për një zgjidhje të shpejtë. /atsh