Loading...

Rektori i Vlorës: 4164 studentë përfitojnë nga reduktimi i tarifës

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, Roland Zisi, theksoi sot se “4164 studentë të këtij universiteti përfitojnë nga reduktimi i tarifës, ndërsa 154 janë studentët që përjashtohen nga tarifa e studimit dhe që përfitojnë bursë”.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, rektori Zisi shprehet se “janë 77 studentë që përjashtohen nga tarifa e studimit, si dhe po 77 studentë që përfitojnë bursë, 42 prej tyre janë në vitin e dytë dhe të tretë dhe 32 prej tyre vijnë nga lista e ardhura nga qendra e shërbimeve arsimore, pra nga shkolla e mesme”.

“I gjithë pakti fokusohet në tre aspekte kryesore së pari gjithë vëmendja e shoqërisë, e politikës dhe qeverisë në veçanti kthehet në universitet me fokus të veçantë studentin. Pakti për Universitetin realizon tre gjëra. e para reduktim apo përgjysmim të kufirit maksimal të tarifës së studimit, së dyti, shkolla ndan bursa pra zgjeron gamën dhe kategoritë që përfitojnë bursa dhe e treta përjashton nga tarifa disa kategori studentësh”, tha Zisi.

Rektori i Universitetit të Vlorës shprehet se “së pari, për ciklin e parë të studimeve reduktimi i kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit, domethënë kufiri maksimal i studimit paguhet nga studenti në masën 50%, ndërsa pjesa tjetër do të rimbursohet nga shteti në institucionet e arsimit të lartë. Së dyti, për studentët nga viti I-III të ciklit të parë të studimeve përjashtohen nga tarifa vjetore studentët e ekselencës, ata që kanë mesataren 9.00 deri në 10.00. E treta, përjashtohen studentët e vitit të parë që vijnë nga arsimi i mesëm dhe janë regjistruar në vitin e parë në programet e studimit të Universitetit “Ismail Qemali”, ata që kanë mesataren 9.00 deri në 10.00″, nënvizoi Zisi.

Së katërti, shtoi rektori, përfitojnë bursë studentët e vitit të parë të regjistruar në çdo program studimi që kanë mesatare nga arsimi i mesëm 9.00 deri në 10.00.

Sipas tij, nëse studentët e mbajnë këtë mesatare ata e përfitojnë bursën edhe vitin pasardhës.

“Çdo ditë sekretaritë mësimore, kryesekretaret, specialistët e informimit të studentëve pranë fakulteteve, gjithë rektorati, gjithë përgjegjësit e departamenteve janë në funksion për të sqaruar, shpjeguar dhe mbushur boshllëqet e studentëve në lidhje me informimin”, tha Zisi.

Në lidhje me rikonstruksionin dhe investimet për godinat dhe konviktet, rektori shprehet se edhe kjo çështje gjen zgjidhje.

“Qeveria ka kërkuar nga universitetet dhe ne kemi dërguar sot në MAS dhe në Ministrinë e Financave nevojat tona infrastrukturore dhe kemi kërkuar mbështetjen nga qeveria për ngritjen e godinës së Infermierisë, që është e menjëhershme”, tha Zisi.

Ai sqaron se para se të fillonin protestat në muajin nëntor qeveria me një VKM të posaçme i ka dhënë Universitetit “Ismail Qemali” 6 mijë metra katrorë tokë për të ngritur këtë godinë.

“Projekti për ngritjen e këtij fakulteti është gati, është tenderuar dhe pritet të fillojë puna”, tha Zisi.

Po ashtu, shton ai, ne kemi kërkuar mbështetje financiare për infrastrukturë laboratorike për të riformuar dhe mbështetur sistemet e ngrohjes.

Rektori Zisi bën të ditur gjithashtu se në Universitetin “Ismail Qemali”, nuk ka pasur ndërprerje të mësimit kjo është e faktuar me regjistrat e mësimit, me korrektësinë e pedagogëve që kanë shkuar në mësim. Universiteti nuk ka humbur asnjë orë mësimi dhe për pasojë nuk do të shtyjë as provimet dhe as procesin mësimor”. /atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/336941340245527/?t=0

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com