Suzana Zefi është infermierja më e re e Qendrës Shëndetësore Bërdicë në Shkodër e përzgjedhur ndër 944 të punësuarit përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se punësimi i saj është bërë i mundur falë meritës, përmes një portali transparent, sipas saj.
“Jo vetëm rehabilitojmë infrastrukturën shëndetësore por fuqizojmë ekipet mjekësore dhe infermierore me profesionistë të rinj, që e kanë fituar me forcat e tyre vendin e punës”, -thotë Manastirliu.
Ajo ka ndarë shifra lidhur me punësimin e infermierëve duke theksuar se derimë tani janë punësuar 944 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike. Së shpejti nis konkursi i tretë për infermierët, lajmëron ministrja.
“Me platformën infermierepershqiperine.al deri tani janë punësuar 944 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike. Së shpejti konkursi i tretë “Infermierë për Shqipërinë””, ka lajmëruar Manastirliu. z.tosku/ atsh