“Arrestimi i Klement Balilit është një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar për muaj të tërë”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke përshëndetur operacionin për arrestimin e Klement Balilit.
“Klement Balili prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje kuptimplotë, për të gjithë qentë që lehin, ndërkohë që karvani do të ecë me vendosmëri përpara. Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri ironizoi edhe “kazanin që zien për vetëdorëzimin”, ndërsa shtoi se “vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i një operacioni të strukturuar”.
“Hahaha, çfarë kazani që zien për vetëdorëzim, duke e nxjerrë sikur Klement Balili u ndal tek dera e policisë pas një shëtitje në pedonalen e Delvinës. Ky është një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar muaj të tërë. Vetëdorëzimi është thjesht realizimi me sukses i tij”, shtoi Kryeministri. /atsh