Ministri në detyrë i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaro sot se, vendimet e qeverisë për përjashtimin, reduktimin e tarifave dhe bursat që përfitojnë të gjithë studentët, sot janë fakt ligjor dhe financiar i zbatueshëm.
Në një konferencë për median, Ahmetaj tha se të gjithë studentët në shkallë vendi me mesatare 9-10 kanë përjashtim 100% nga tarifa e shkollimit. Përfitojnë 6235 studentë dhe efekti financiar në buxhetin e shtetit arrin në 201 milionë lekë.
Ndërsa studentët me mesatare 5-9 përfitojnë përgjysmim 50% të tarifës së shkollimit. Në këtë grup janë përfitues rreth 70 mijë studentët në të gjithë vendin dhe efekti financiar në buxhet shënon 1 miliard lekë.
Reduktim të tarifave të shkollimit edhe për studentët e ciklit master
Edhe për ciklin master, ministri i Financave, Ahmetaj theksoi se studentët përfitojnë nga ulja e tarifës. Sipas tij ata me mesatare 9-10 do të përfitojnë 50% ulje të tarifës.
“Kemi reduktim të tarifës për ciklin master. Në vendimin e Këshillit të Ministrave është realizuar reduktimi në 50% për studentët me mesatare 9-10 përfitojnë mbi 3 mijë studentë efekti financiar 150 mln lekë. Autonomia dhe përgjegjësia është e universitetit qeveria ka bërë të mundur procedurë të qartë, dhe financim të pastër e të plotë”, tha Ahmetaj./atsh