Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar nga detyra gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, i cili u arrestua pas publikimit të denoncimit ndaj tij, ku shfaqej në një video, teksa merrte ryshfet dhe i kërkonte favore seksuale një gruaje, që ishte në proces gjyqësor për kujdestarinë e vajzës.
Përmes një njoftimi KLGJ bën me dije se “menjëherë sapo u njoh me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi me unanimitet në mbledhjen e datës 10.01.2019, pezullimin nga detyra për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Roland Hysi”.
“Gjatë mbledhjes anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, shprehën vendosmërinë për të luftuar pa asnjë kompromis çdo akt apo sjellje që diskrediton rëndë figurën e gjyqtarit. Duke pasur si objektiv parësor rikthimin e besimit të publikut tek gjyqësori. Këshilli i Lartë Gjyqësor do vijojë pa kompromis betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit”, thuhet në njoftim. /atsh