Loading...

Nxjerrja në dritë e vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit

Instituti i Monumenteve të Kulturës së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë në fokusin e tyre dhe përgjatë vitit 2019, rikthimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në destinacione turistike si motor të zhvillimit ekonomik.

Vendeve të Shqipërisë të cilët kanë një pasuri të madhe kulturore dhe historike si Gjirokastra, Berati, Vlora, Vunoi dhe Dhërmiu po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm që buron nga kultura dhe identiteti kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga puna për rikthimin e shkëlqimit dhe nxjerrjen në dritë të vlerave historike e kulturore të këtyre zonave.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga puna vijuese për rikthimin e shkëlqimit dhe nxjerrjen në dritë të vlerave historike e kulturore të Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Dhërmiut e Vunoit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Janë 15 milionë Euro që do të investohen në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Në qytet do të investohet për rekuperimin e rrjetit inxhinierik në qendrën historike, për përforcimin e qëndrueshmërisë tektonike dhe restaurimin e godinave muzeale.

Në Gjirokastër investimet fokusohen në restaurimin e kalldrëmeve, ndriçimin e Qafës së Pazarit dhe rehabilitimin e hapësirave urbane, përmirësimin i aksesit në kala, rivitalizim i rrugëve ndërlidhëse për të lehtësuar mobilitetin e qytetarëve dhe turistëve dhe sistemin e ri të muzeve sipas një koncepti të ri dhe bashkëkohor.

Rikonstruksioni i rrugës ”Mihal Komneno” dhe “Tabes” 1.2 km në Berat e njohur ndryshe si rruga këmbësore për në Kalanë e Beratit ka përfunduar. Ky ishte një investim shumë i rëndësishëm për qendrën historike të Beratit në përmirësim të nivelit të shërbimit ndaj turizmit kulturor.

Pritet që në 2019 të fillojë puna edhe për rrugën “Muzak Topia”, e njohur si rruga automobilistike për në kalanë e Beratit.

Ndërhyrjet janë pjesë e një pakete investimesh prej rreth 13.5 milionë euro, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin, financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Projekt ky, i cili zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Qendra historike e Vlorës ndërthur diversitetin dhe bashkëjetesën e kulturave, feve dhe është pjesë e së përditshmes dhe e historisë. Po vijon puna për rikualifikimin e zonës urbane pranë qendrës së qytetit të Vlorës.

Projekti synon shndërrimin e kësaj zone në një pikë aktraktive për turistët, si dhe një mundësi më shumë zhvillimi për bizneset vendase.

Ky projekt zbaton restaurimin në zemër të Vlorës, aty ku qyteti ende ruan identitetin, gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të. Punimet po realizojnë restaurimin e rrugës “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagja e Hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit.

“Rikualifikimi urban dhe restaurimi i objekteve në Qendrën Historike dhe Zonën e Mbrojtur në fshatrat Dhërmi dhe Vuno”, është një tjetër projekt i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin e monumenteve të Kulturës.

Ky projekt i veçantë në llojin e vet për restaurimin e fshatrave turistikë, nëpërmjet financimit edhe të Bankës së Këshillit të Europës (CEB), ka për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe Vunoit dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.

Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. Nga ana administrative Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi i Vlorës.

Fshati i Vunoit, i vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, në një truall të ashpër shkëmbor me shtrirje në formë harku, të mahnit me arkitekturën dhe pamjen piktoreske që ofron.

Ky fshat me bukuri të rrallë, nga pikëpamja urbanistike karakterizohet për kompaktësinë e ndërtimeve, harmonizimin e përsosur me truallin dhe vendosjen e shkallëzuar të banesave, të cilat shfaqen qartë, pa mbuluar njëra-tjetrën, duke krijuar një ansambël piktoresk./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com