Viti 2018 për Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve ishte një vit me rezultate më të mira, në krahasim me vitet e mëparshme, ndërsa për 2019 është klasifikuar ndër ujësjellësat që do të jenë prioritarë dhe në vëmendje maksimale të qeverisë.
Kështu deklaroi kreu i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili në analizën e performancës për vitin 2018.
Xhelili theksoi se “ne kemi pasur probleme të mëdha për sa i përket ujit pa të ardhura. Nuk du atë përjashtoj pjesën e rrjetit, i cili është tejet i amortizuar dhe kemi shumë humbje. Por një pjesë e këtij uji që ne prodhojmë ka probleme akoma më të mëdha sa i takon pjesës së faturimit”.
“Këtë vit do të krijojmë mundësinë tjetër për vendosjen e matësave, ashtu siç filluam me pjesën e matësave në burim, ku ne kemi një informacion të saktë se sa ujë prodhojmë, sa energji konsumojmë dhe sa ujë faturojmë dhe në fund fare, sa arkëtojmë”, nënvizoi ai.
Kreu i ujësjellësit të Vlorës bëri të ditur se “për vitin 2019 është klasifikuar ndër ujësjellësat që do të jenë prioritarë dhe në vëmendje maksimale të qeverisë. Vlora për vitin 2019 është futur në një projekt pilot për sa i përket ujësjellësave me më tepër përparësi dhe më tepër rëndësi dhe kjo reformë do të udhëhiqet nga qeveria dhe me mbështetjen e Kryeministrit”.
Ai tha se këtë vit do të kemi objektiva të reja për sa i përket reformës në ujësjellësa, për ujërat e ndotura, kanalizimeve, por prioritet do të mbetet furnizimi me ujë të pijshëm./atsh